Lukashenka urdhëron përforcim kufiri me Ukrainën pas incidentit me dronë

Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenka.

Lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka urdhëruar përforcimin e kufirit me Ukrainën, pasi e ka akuzuar Kievin që ka nisur dronë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë.

Lukashenka ka thënë më 10 gusht se forcat bjelloruse për mbrojtje ajrore kanë shkatërruar disa shënjestra në hapësirën ajrore.

I cituar prej agjencisë shtetërore të lajmeve, Belta, Lukashenka nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet se Ukraina ka nisur dronë.

Bjellorusia është aleate e Rusisë në luftën në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Momentet vdekjeprurëse gjatë 25 vjetëve të Vladimir Putinit në pushtet

Ukraina dhe Bjellorusia e kanë një kufi të përbashkët gati 1.100 kilometra të gjatë.

Komentet e Lukashenkas vijnë teksa vazhdon inkursioni ukrainas brenda Rusisë.

Hyrja e ushtrisë ukrainase në rajonin rus, Kursk, është përshkruar si sulmi më i madh në tokën ruse, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ukraina nuk i ka komentuar deklaratat e Lukashenkas.

Lukashenka ka thënë se “dhjetëra dronë”, kanë shkelur hapësirën ajrore bjelloruse në rajonin lindor Mogilebv, në kufi me Rusinë.

Sipas tij, ata janë shkatërruar afër qytetit rus, Jarosllav.

Më herët gjatë ditës së shtunë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka identifikuar gjashtë dronë në rajonin Jarosllav.

Më vonë, Viktar Khrenin, ministri bjellorus i Mbrojtjes, ka thënë se Lukashenka ka urdhëruar përforcimin e kufirit.

Ai ka thënë se Bjellorusia e konsideron këtë shkelje të hapësirë ajrore si provokim dhe se është “gati të përgjigjet”.