Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”, teksa ka pritur aleatin e tij të ngushtë, udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për bisedime në Shën Petersburg, të dielën.
“Nuk ka kundërofensivë”, ka thënë Lukashenka, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Putin i është përgjigjur atij, duke thënë se “ajo ekziston, por ka dështuar”.
Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj të shumëpritur muajin e kaluar, por deri më tani ka bërë vetëm përparime të vogla kundër forcave ruse të shtrënguara në pozicione, të cilat kontrollojnë më shumë se një të gjashtën e territorit të saj, pas gati 17 muajsh luftë, raporton Reuters.
SHIKONI EDHE: A është problematik ritmi i ngadalshëm i kundërofensivës ukrainase?Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë të martën se nisma ukrainase “është larg të qenët e dështuar”, por se do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme.
Një kanal në platformën Telegram, i lidhur me Lukashenkan, e ka cituar atë të ketë thënë, me një ton shakatar, se luftëtarët e grupit mercenar rus, Wagner, të cilët tani po e stërvitin ushtrinë e Bjellorusisë, janë të vendosura për të kaluar kufirin drejt Polonisë, anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
“Djemtë e Wagner-it kanë nisur të na bëjnë trysni – ata duan të shkojnë në perëndim. ‘Le të shkojmë në vizitë në Varshavë’”, është cituar të ketë thënë Lukashenka. Nuk ka pasur indikacione se Lukashenka po e shqyrtonte seriozisht atë ide.
SHIKONI EDHE: Wagner trajnon forcat bjelloruseTë enjten, ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë ka thënë se luftëtarët e Wagner-it kanë nisur t’i përgatisin forcat speciale bjelloruse në një poligon ushtarak, vetëm pak kilometra larg kufirit polak.
Polonia po çon trupa shtesë drejt kufirit me Bjellorusinë, pas arritjes së forcave të Wagner-it atje, të cilat kanë shkuar pasi kanë kryer një rebelim të shkurtër në Rusi, muajin e kaluar.
Putin, në kundërpërgjigje, ka paralajmëruar Poloninë të premten se çfarëdo agresioni kundër Bjellorusisë do të konsiderohej sulm ndaj Rusisë. Ai ka thënë se Moska do t’i përdorë të gjitha mjetet që ka për të reaguar ndaj çfarëdolloj armiqësie karshi Minskut.
Lexoni edhe këto:
Polonia i reagon Rusisë pas komenteve “provokuese” të PutinitPutin, Polonisë: Çdo agresion kundër Bjellorusisë është sulm ndaj RusisëPolonia dërgon ushtarë pranë kufirit me BjellorusinëRusia dhe Bjellorusia janë të lidhura në një partneritet të quajtur “shteti i bashkuar”, në të cilin Moska është dukshëm lojtari dominues. Por, Lukashenka e ka dëshmuar dobinë e tij për Putinin, që nga pushtimi i Ukrainës, i nisur në shkurtin e vitit 2022, duke e lejuar Rusinë ta përdorë vendin e tij për ta nisur luftën.
Ai më pas ka lejuar forcat ruse të trajnohen në bazat ushtarake bjelloruse, ka angazhuar Bjellorusinë në manovra të përbashkëta me Rusinë, dhe ka pranuar armë bërthamore taktike, të cilat Putin i ka vendosur në Bjellorusi, duke nxitur kritika të ashpra nga Perëndimi.
SHIKONI EDHE: Bjellorusia po rinovon garnizonin e braktisur, por për kë?Kremlini, po ashtu, i ka dhënë merita Lukashenkas për ndërmjetësimin e marrëveshjes së muajit të kaluar për ndërprerjen e rebelimit të Wagner-it, i cili, sipas Putinit, kishte rrezikuar ta fuste Rusinë në luftë civile.
Putin ka thënë se të dy liderët do të takohen gjatë së dielës dhe të hënës, dhe do të diskutojnë për sigurinë dhe çështje të tjera “hollësisht dhe thellësisht”.
Lukashenka nuk ka vendosur ta çojë ushtrinë e tij të vogël për t’u përfshirë në luftën e Rusisë në Ukrainë, por rreziku i një sulmi të ri nga toka bjelloruse ka detyruar Ukrainën të mbrojë kufirin e saj verior, duke shtrirë forcat e saj gjithandej, teksa po përpiqet t’i japë hov kundërofensivës së saj në lindje dhe në jug të vendit.