Filozofi bjellorus dënohet me pesë vjet burg për qëndrimin kundër Lukashenkas

Filozofi bjellorus, Uladzimer Matskevich.

Një filozof i njohur bjellorus, Uladzimer Matskevich, është dënuar me pesë vjet burgim për pjesëmarrjen e tij aktive në ngjarjet publike që vënë në dyshim rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020 që i dhanë fitoren sundimtarit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.

Gjykata rajonale e Minskut e dënoi Matskevich më 23 qershor, pasi e shpalli fajtor për pjesëmarrje në ngjarje të paligjshme që prishin rendin shoqëror, krijimin e një grupi ekstremist dhe fyerjen e Lukashenkas në internet.

Matskevich u arrestua në gusht të vitit të kaluar.

Në shkurt, filozofi 66-vjeçar filloi një grevë urie dyjavore, duke kërkuar një transferim në arrest shtëpiak, por kërkesa e tij u shpërfill nga autoritetet bjelloruse.

SHIKONI EDHE:

Ofendoi Lukashenkan, dënohet me 18 muaj burg aktivistja bjelloruseEdhe një aktivist bjellorus dënohet me burg për protestat kundër Lukashenkas

Gjithashtu, më 23 qershor, një gazetare bjellorus në qytetin juglindor të Homelit, Iryna Slaunikava, doli në gjyq me akuzat për drejtimin e një grupi ekstremist dhe organizimin e aktiviteteve që prishin rendin shoqëror.

Slaunikava u arrestua fillimisht së bashku me bashkëshortin e saj, Alyaksandr Loyka, në fund të tetorit.

Çifti u dënua me 30 ditë burg për akuzat e shpërndarjes së materialeve ekstremiste dhe huliganizmit të lehtë.

Pas vuajtjes së dënimit të tyre me burg, Slaunikava u ngarkua me akuzat e reja për të cilat ajo doli në gjyq më 23 qershor. Nëse shpallet fajtore, Slaunikava mund të përballet me deri në shtatë vjet burg. Burri i saj, Loyka nuk u arrestua herën e dytë.

SHIKONI EDHE: Gjykata në Bjellorusi lë në fuqi dënimet ndaj figurave të opozitës

Lukashenka, 67 vjeç, që është në pushtet që nga viti 1994, ka forcuar kontrollin e tij në vend që nga zgjedhjet e vitit 2020, duke arrestuar dhjetëra-mijëra njerëz. Nga frika për sigurinë e tyre, shumica e anëtarëve të opozitës janë detyruar të largohen nga vendi.

Perëndimi ka refuzuar të njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk e konsideron Lukashenkan si udhëheqësin legjitim të vendit. Shumë vende kanë vendosur disa runde sanksionesh kundër regjimit të tij në përgjigje të shtypjes së disidencës në vend.