Lugina e Preshevës kërkon përjashtimin e bizneseve të shqiptarëve nga taksa doganore

Ilustrim

Përfaqësuesit politik si dhe afaristët që shtrijnë biznesin e tyre në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, thonë se e përkrahin vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.

Pavarësisht faktit që këto tri komuna të banuara me shqiptarë shtrihen në territorin e Serbisë, përfaqësuesit e atjeshëm thonë se masa për taksën doganore ishte e domosdoshme, ndërkaq i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që kjo taksë të mos i prek bizneset shqiptare, qofshin ato nga Lugina e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) apo biznese nga Kosova që shtrijnë aktivitetin e tyre në të dyja anët e kufirit.

SHIKONI EDHE: Vuçiq bën thirrje për "paqe": Të shmangim konfrontimin në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherësh ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se në ditët në vijim Qeveria e Kosovës duhet të shikojë mundësinë që të largojë taksën vetëm për produktet e kompanive shqiptare në Luginën e Preshevës.

“Ne nga ky pozicion kërkojmë që Qeveria e Republikë se Kosovës të ushtrojë një “diskriminim pozitiv”, që bizneset shqiptare me produktet e tyre që kanë në tregun në territorin e Republikës se Kosovës të largohen nga kjo listë ose nga ky detyrim i tatimit në vlerë 100 për qind në mënyrë që ato të mbijetojnë”,tha Mustafa.

Edhe disa nga kompanitë prodhuese nga Kosova që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë edhe në Luginën e Preshevës, përkrahin vendimin e fundit të Qeverisë se Kosovës. Por, sfidat dhe vështirësitë, sipas tyre, nga ky vendim nuk mungojnë.

SHIKONI EDHE: OEK: Bizneset përkrahin taksën për produktet serbe dhe boshnjake

Një nga kompanitë kosovare që vitin e kaluar ka hapur fabrikën për prodhimin e këpucëve edhe në Preshevë është “SOLID” nga Suhareka.

Shpejtim Kuqi, drejtor ekzekutiv në këtë fabrikë, thotë se e mbështetë vendimin e Qeverisë, por megjithatë tregon se nga e mërkura ka ndërprerë importin e produkteve për në Kosovë.

Ai ndërkaq thotë se nga fabrika në Preshevë do të importojë në vendet e Bashkimit Evropian.

Por, për të realizuar këtë import, Kuqi thotë se duhet të bartë disa makina të nevojshme, por edhe punëtorët e prodhimit final nga Kosova për në Preshevë, pasi që në Preshevë, produkti final nuk realizohet.

“Kjo është një pengesë, por megjithatë është bërë diçka në këtë drejtim. Në aspektin patriotik është shumë e mirë, në aspektin tjetër ka sjell disa probleme, pasi fabrika në Preshevë punon për nevojat e fabrikës në Kosovë. Kemi bërë alternativa tjera, tashmë nga Presheva eksportojmë në vende të Bashkimit Evropian”, tha Kuqi për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Haradinaj u shkruan ambasadorëve të BE-së: Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës nuk shfuqizohet

Aktualisht në fabrikën e hapur në Preshevë punojnë rreth 80 punëtorë dhe prodhohen rreth 300 palë këpucë, theksoi Kuqi .

Në anën tjetër, Ragmi Mustafa thotë se shumica e bizneseve shqiptare treg të vetëm kanë tregun e Kosovës, pasi thotë ai, produktet e këtyre kompanive nuk shiten në tregun e Serbisë.

“Në këtë fushë konsiderojmë se Qeveria e Kosovës do të ketë parasysh këtë masë, njësoj sikur interesohet Qeveria e Serbisë për serbët në Kosovë. Pra, pse mos të interesohet Qeveria e Republikës se Kosovës për bizneset në Luginën e Preshevës. Presim që kjo të jetë çështje ditësh, kur bizneset që udhëhiqen nga shqiptarë në Preshevë dhe Bujanoc të jenë të liruara nga kjo taksë“, tha Mustafa.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.