Mali i Zi kap mbi një tonelatë drogë

Drogë e konfiskuar - fotografi ilustruese

Policia e Malit të Zi tha të premten se ka konfiskuar mbi një tonelatë kokainë - sasinë më të madhe të drogës të zënë ndonjëherë në këtë shtet.

Droga ishte fshehur në një dërgesë me banane.

Policia po ashtu tha se ka arrestuar dy persona.

Bastisja u krye në Mojanoviqi, një lagje në periferi të kryeqytetit Podgorica.

“Ne po bëjmë atë që kemi premtuar: Mali i Zi nuk do të jetë vend i krimit”, shkroi në Twitter zëvendëskryeministri i këtij vendi, Dritan Abazoviq.

Mali i Zi është vend anëtar i NATO-s dhe ka hapur po ashtu negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, përpara se t’i bashkohet BE-së, ai e ka për detyrë të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin.