Bashkësia ndërkombëtare është në Kosovë për të ndihmuar, por lufta kundër korrupsionit u takon institucioneve vendore, është thënë të shtunën në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Me gjithë angazhimet e autoriteteve kompetente, është thënë se ende mbetet punë në forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemin e prokurimit në Kosovë.
Me këtë rast ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në luftimin e korrupsionit. Ndër të tjera ai ka thënë se Bashkësia ndërkombëtare është këtu për të ndihmuar, por në fund të fundit, kjo luftë u takon juve. Delawie është shprehur se “po ecim përpara me disa projekte që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë për të ulur korrupsionin në të ardhmen” .
“Nuk duhet të mbetet punë vetëm me deklaratat përmbyllëse, lufta kundër korrupsionit nuk është vetën një rast i veçantë. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë me të gjitha ata që janë të zotuar për reforma në prokurim dhe reforma gjyqësore”, ka thënë Delawi.
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ndërkaq ka përsëritur qëndrimin se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i Bashkimit Evropian, sepse ka theksuar ajo, korrupsioni ka ndikim në të gjitha fushat e jetës duke minuar zhvillimin e ekonomik dhe sundimin e ligjit.
Apostolova ka thënë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbarojë në këtë ditë, por duhet për çdo ditë të luftohet, pasi siç shprehet ajo, e ardhmja e qytetarëve, konkretisht e të rinjve, është në rrezik nëse kjo situatë vazhdon edhe më tej,
“I jam bashkuar kësaj nisme për t’iu nxitur juve të gjithëve, popullit të Kosovës që të bëheni zëri, i cili nuk do të tolerojë korrupsionin dhe do të
veprojë me përkushtim kundër zyrtarëve të korruptuar dhe praktikave të tyre të paligjshme”, ka theksuar Apostolova.
Në përmbylljen e “ Javës Kundër Korrupsionit” edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur një konferencë për media. Zëvendësministri Abduselami Shkodra, ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbetet një ndër sfidat dhe kërcënimet kryesore të shtetit të Kosovës. Por, zotimi për të parandaluar nuk ka munguar.
Sipas tij, epidemia e korrupsionit kryesisht shfaqet në prokurim publik, në shëndetësi në procesin e privatizimit dhe fushat ku përdorët pasuria publike . Ndërsa, krimi i organizuar, ka vazhduar ai, manifestohet në trafikim droge, trafikim me njerëz, krime ekonomike, kibernetike e të tjera.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet mbi prioritetet për institucionet e Kosovës. Në një të ardhme të afërm do duhej të kumtojmë çdo njeri që merr iniciativa për krim dhe korrupsion se do të ballafaqohet me dorën e hekurt të institucioneve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Shkodra.
Edhe përfaqësues të koalicionit të organizatave joqeveritare, të cilët për një javë me radhë kanë mbajtur takime të ndryshme duke paraqitur, sipas tyre, edhe fakte për raste korruptive, kanë thënë se përderisa nuk ka rezultate në luftën kundër korrupsionit, nuk do të ketë edhe mirëqenie të qytetarëve. Betim Musliu, nga ky koalicion është shprehur se prania e lartë e korrupsionit në vend, është arsye e mos liberalizimit të vizave.