Forcat ruse kanë bombarduar vendbanimet e civilëve në zonën e Harkivit, teksa po tentojnë të përparojnë në rajonin lindor të Donjeckut, tha më 17 gusht ushtria e Ukrainës.
Këto njoftime vijnë teksa Rusia ia ka lënë fajin sabotimit për shpërthimet në një nga bazat e saj ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska, pasi ka pasur sugjerime nga Kievi se ai ishte përgjegjës për shpërthimet.
SHIKONI EDHE: Moska akuzon sabotatorët ukrainas për shpërthimet në bazën ruse në KrimeShtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha se forcat ruse kanë kryer sulme ajrore dhe të artilerisë pranë Stari Saltov dhe Mospanovoj në rajonin e Harkivit, duke shtuar se rusët po kryejnë ofensivë edhe në afërsi të Lebiazhit dhe Bazalivkas, zona ku po vazhdojnë luftimet.
Në Donjeck, trupat ruse kanë tentuar që të përparojnë afër Bogorodiçnit, por janë tërhequr, tha shtabi i ushtrisë ukrainase dhe shtoi se luftimet po vazhdojnë edhe pranë Mazanivkas dhe Novodmitrivkas.
Rusët po përqendrojnë sulmet e tyre në drejtim të Bahmutit dhe Novopavlivit, në përpjekje për të përmirësuar pozicionin e tyre taktik në drejtim të Kramatorskut dhe Avdijivkas, tha ushtria ukrainase.
SHIKONI EDHE: Rusët përqendrojnë ofensivën në jug, ukrainasit në verilindjeNë Moskë, Ministria e Mbrojtjes tha se më 16 gusht ka shpërthyer një depo e municionit rus në Krimenë e okupuar, duke lënë të plagosur të paktën dy persona dhe duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve që jetojnë në afërsi.
Ministria fajësoi sabotatorët për shpërthimin, një pranim i rrallë se grupet e armatosura, besnike ndaj Ukrainës, po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret e kontrolluara nga Rusia.
Zyrtarët ukrainas kanë shmangur marrjen e përgjegjësisë për incidentet, por disa duket se kanë sugjeruar se Kievi ka qenë i përfshirë në këto shpërthime.
Krimea është aneksuar nga Rusia më 2014, por ende njihet ndërkombëtarisht si territor i Ukrainës. Megjithatë, Moska ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi në këtë gadishull.
Pas shpërthimeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin gjatë natës së 16 gushtit, u bëri thirrje ukrainasve që jetojnë në territoret e pushtuara që të qëndrojnë larg ndërtesave ushtarake ruse që gjenden në Krime.
“Çdo ditë dhe çdo natë ne shohim raportime për shpërthime në territoret që janë të okupuara përkohësisht nga pushtuesit”, tha Zelensky, pa pranuar direkt përgjegjësinë për shpërthimet. Ai tha se shpërthimet mund të jenë shkaktuar nga një sërë arsyesh, përfshirë edhe nga paaftësia.
SHIKONI EDHE: Luftime të ashpra në periferi të Donjeckut“Për të gjitha këto kanë një kuptim: shkatërrimi i logjistikës së pushtuesit, të municionit të tyre, pajisjeve ushtarake dhe pajisjeve të tjera e qendrave komanduese nënkuptojnë shpëtimin e jetës së njerëzve tanë”, tha ai.
Më herët, New York Times ka cituar një zyrtar të paidentifikuar ukrainas i cili ka thënë se një njësi elite e ushtrisë ukrainase, që po operon prapa vijave të armikut, është përgjegjës për shpërthimet.
Ndërkaq, ndihmësi i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, ka shkruar në Twitter se shpërthimet e fundit ishin përkujtues se “Krimeja e okupuar nga rusët ka të bëjë me depotë, shpërthimet dhe rrezik të lartë për vdekje nga pushtuesit dhe hajdutët”.
“Gjëja e vjedhur nuk sjell prosperitet”, tha më pas Podolyak për televizionin ukrainas.
Incidentet në Krime vijnë një javë pas një serie shpërthimesh të pasqaruara në bazën ajrore ruse Saki, në perëndim të Krimesë. Nga këto shpërthime u shkatërruan një numër i avionëve luftarakë rusë.
SHIKONI EDHE: Imazhet satelitore shfaqin dëme të mëdha në bazën ajrore në KrimeEnde nuk ka konfirmim se çfarë shkaktoi këto shpërthime edhe pse imazhet satelitore kanë treguar për shkatërrim të madh në këtë bazë ajrore.