Dhuna përfshin gjithë Sudanin

Qyteti Omdurman në Sudan. Prill, 2023.

Përleshje të ashpra raportohen në të gjithë Sudanin, derisa luftimet midis fraksioneve të armatosura rivale vazhdojnë të përhapen.

Dhuna midis ushtrisë dhe një grupi paraushtarak të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë ka hyrë tashmë në ditën e tretë.

Gati 100 njerëz janë vrarë, tha një sindikatë mjekësh, ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar 1.100.

Të dyja palët ndërluftuese pretendojnë se kontrollojnë vendet kryesore në kryeqytetin Kartum.

Ato kanë shpallur një armëpushim të përkohshëm të dielën, për të lejuar evakuimin e të plagosurve, por nuk është e qartë se sa i janë përmbajtur atij.

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për luftimet në Sudan?

Mjekët kanë paralajmëruar se situata në spitalet në Kartum është jashtëzakonisht e vështirë dhe se luftimet janë duke penguar personelin dhe furnizimet mjekësore të arrijnë te njerëzit e plagosur.

Luftimet janë pjesë e një përpjekjeje të egër për pushtet brenda udhëheqjes ushtarake të vendit, e cila është përshkallëzuar në dhunë midis fraksioneve rivale.

Dy burrat që janë në qendër të kësaj - Abdel Fattah al-Burhan, udhëheqës i Këshillit Sovran qeverisës, dhe Mohamed Hamdan Dagalo, nënkryetar i Këshillit dhe udhëheqës i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë - nuk pajtohen rreth mënyrës sesi vendi duhet të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshjet kryesore kanë të bëjnë me planet për t’i inkorporuar Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në ushtri dhe me atë se kush do ta drejtojë më pas forcën e re.

Sudani është udhëhequr nga gjeneralët prej se presidenti autoritar, Omar al-Bashir, është rrëzuar përmes grushtshtetit në vitin 2019.

Abdel Fattah al-Burhan, udhëheqës i Këshillit Sovran qeverisës, dhe Mohamed Hamdan Dagalo, nënkryetar i Këshillit dhe udhëheqës i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.

Mëngjesin e së hënës, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë thanë se kanë pushtuar disa vende të rëndësishme në kryeqytetin e Kartumit, përfshirë pallatin presidencial dhe qytetin fqinj të Omdurmanit, si dhe Aeroportin Merowe në veri të vendit.

Por, sipas disa njoftimeve të mëvonshme, ushtria e ka rimarrë kontrollin e aeroportit.

Ushtria ka mohuar se Forcat e Mbështetjes së Shpejtë kanë marrë pika kyçe në kryeqytet, ndërsa dëshmitarët në këtë vend i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ushtria duket se po avancon, pas goditjes me sulme ajrore të bazave të grupit rival.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që t’i jepet fund dhunës menjëherë.

Shtetet kryesore arabe dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për bisedime që do të çonin në rivendosjen e një qeverie civile, ndërsa Bashkimi Afrikan ka njoftuar se po dërgon kryediplomatin e tij, Moussa Faki Mahamat, në Kartum, në përpjekje për të negociuar një armëpushim.

Sipas një deklarate të Presidencës egjiptiane, Egjipti dhe Sudani i Jugut janë ofruar, gjithashtu, si ndërmjetësues mes fraksioneve ndërluftuese.

Kryeqyteti i Sudanit, Kartum. Prill, 2023.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se më shumë se 83 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1.100 janë plagosur në të gjithë Sudanin, prej se ka shpërthyer dhuna, por ajo nuk ka specifikuar se sa civilë janë vrarë në luftime.

Në mesin e të vrarëve janë tre anëtarë të stafit të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, i cili ka pezulluar tashmë operacionet e tij në Sudan.

Televizioni shtetëror i Sudanit raportohet se ka ndalur transmetimet, por nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar këtë vendim.

Përgatiti: Valona Tela