Spitali fluturues që trajton të plagosurit në Ukrainë

Një ushtar i plagosur ukrainas është transportuar në një avion evakuimi mjekësor (Medevac,  shkurtesë për "medical evacuation") në Rzeszow, Poloni, më 22 mars.

Me më shumë se 800 objekte shëndetësore në shënjestër të sulmeve që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia, fluturimet e Medevac-it kanë qenë të rëndësishme për shpëtimin e ushtarëve dhe civilëve të plagosur rëndë.

Familjarët e ushtarëve të plagosur ukrainas gjithashtu mund t'i shoqërojnë ata në fluturimet e Medevac-it.

Edhe kafshët e tyre shtëpiake janë të mirëseardhura në bord.

Ushtari i plagosur ukrainas, Mykola Fedirko, 22 vjeç, pushon gjatë fluturimit me avionin mjekësor në Rzeszow, Poloni. "Është hera e parë që hipi në avion", thotë Fedirko, i cili u godit nga një predhë e trupave ruse, në një llogore në rajonin e Donjeckut.

"Do të kisha dashur të shkoja në Danimarkë për pushime dhe jo në spital për shkak të plagës sime", thotë Fedirko, një ish-shitës, pjesa e poshtme e këmbës së të cilit tani mbahet në vend me shufra metalike.

Avioni i modifikuar Boeing është i pajisur me 20 shtretër spitalorë, monitorë, ventilatorë, pajisje për transfuzionin e gjakut dhe shishe të panumërta antibiotikësh.
 

Është "si një njësi e vogël e kujdesit intensiv në ajër", thotë Hakon Asak, një nënkolonel nga shërbimi mjekësor i ushtrisë norvegjeze që shoqëron të plagosurit.
"Ne nuk kemi pasur asnjë vdekje në bord deri më tani. Faleminderit Zotit për këtë!", shton ai ndërsa rreth kyçit të dorës së tij mban një byzylyk blu-verdhë ku shkruan "Ukraina e lirë".

Ekuipazhi i fluturimeve për evakuime mjekësore janë civilë, por personeli mjekësor është nga ushtria norvegjeze.

Pas uljes në aeroportin Schipol në Amsterdam, ushtarët ukrainas të plagosur janë transportuar në një spital lokal. Të plagosurit janë dërguar edhe në Oslo, Kopenhagë, Berlin dhe Këln.

Stafi mjekësor përgatitet ta zbresë Vladyslav Shakhovin pas mbërritjes së aeroplanit në Aeroportin e Brandenburgut të Berlinit.

Një grua duke ngushëlluar një ushtar të plagosur ukrainas ndërsa ai pret të transportohet jashtë Polonisë.

Autoritetet norvegjeze vlerësojnë se gjysmë milioni njerëz privohen nga kujdesi mjekësor në Ukrainë çdo muaj.

Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, rreth 2.000 të plagosur janë evakuuar nga vendi me avionë specialë që operohen nga Norvegjia dhe janë dërguar nëpër spitale në të gjithë Evropën. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)