Ukraina: Rusia bombardon një xhami që​ strehonte 80 persona

Pamje të lagjeve të shkatërruara në Mariupol.

Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku janë strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase.

Ministria ka thënë se xhamia Sulltan Sylejmani i Madhërishëm në Mariupol është bombarduar nga “pushtuesit” rusë.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se nuk po lejon daljen e qytetarëve nga Mariupoli, dhe për pasojë qindra mijëra persona kanë mbetur të bllokuar.

Rusia fajëson Ukrainën se ka dështuar në përpjekjet për evakuim.

Ende nuk ka informacion nëse është vrarë apo plagosur dikush brenda xhamisë.

Moska, në anën tjetër, hedh poshtë vazhdimisht raportimet për shenjëstrim të civilëve.

SHIKONI EDHE: Forcat ruse po rrisin përpjekjet për sulm drejt Kievit

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Konflikti ka nxitur mbi 2.5 milionë refugjatë që të largohen nga shteti.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.