Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi Pekinin më 23 mars përmes një konference për media që të mos e ndihmonte Rusinë në luftën në Ukrainë, një grumbull e-mailesh që besohet se u dërguan nga hakerët e sponsorizuar nga shteti kinez, arritën në adresat elektronike të hulumtuesve dhe inxhinierëve në disa institute ruse të zhvillimit ushtarak.
Këto e-maile kishin të njëjtin titull dhe pretendonin se përmbanin emra rusë që gjendeshin në listën e sanksioneve të SHBA-së për luftën e Moskës në Ukrainë, por sipas një raporti të publikuar së fundmi nga firma izraelito-amerikane për siguri kibernetike, Check Point, këto e-maile ishin pjesë e një operacioni shumëvjeçar të spiunazhit kinez kundër Rusisë. Sipas kësaj kompanie, aty kishte dokumente që kanë instaluar virus në rrjetet e ndjeshme menjëherë pasi të njëjtat janë hapur.
Të marra së bashku, këto dy ngjarje që ndodhën në ditën e njëjtë gjatë marsit, ilustrojnë raportin kompleks ndërmjet këtyre dy shteteve, teksa ato ndërtojnë solidaritet mbi antagonizmin e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara. Por, në të njëjtën kohë raportet e tyre po testohen nga pasojat politike dhe ekonomike të pushtimit të Ukrainës, që Rusia nisi më 24 shkurt.
- A mund të ndihmojë Kina për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave?
- Cilat janë gjasat që Kina ta ndihmojë ushtarakisht Rusinë?
- SHBA paralajmëron Kinën që të mos e ndihmojë Rusinë
Pas tre muajsh të luftës në Ukrainë, Pekini ende refuzon që t'i dënojë veprimet e Moskës dhe presidenti kinez, Xi Jinping, është në mesin e pak liderëve botërorë që nuk ka pasur bisedime direkte me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kina, po ashtu, ka vazhduar që t'i kundërshtojë sanksionet perëndimore që shënjestrojnë Rusinë dhe ka nisur t'i rrisë blerjet e naftës ruse me çmim të ulët, duke ndihmuar që të mbushet vakumi i krijuar pas largimit të blerësve perëndimorë nga tregu pas nisjes së luftës.
“Tani që Perëndimi ka marrë një ‘pozicion prej diktatori’ [ndaj Rusisë], marrëdhëniet tona ekonomike me Kinën do të rriten edhe më shpejt”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov më 23 maj.
SHIKONI EDHE: Lavrov bën vizitën e parë në Kinë që prej nisjes së luftës në UkrainëPor, pavarësisht afrimit në shumë aspekte – një fakt i zbuluar në një njoftim më 4 shkurt nga presidenti Xi dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, që paralajmëruan një epokë të partneritetit ‘pa kufij' – mosbesimi, kritika dhe një rivalitet i heshtur janë pjesë e raporteve të ndërlikuara të këtyre dy shteteve.
“I ashtuquajturi revitalizim i Rusisë nën sundimin e Putinit bazohet në një premisë të rreme”, tha Gao Yusheng, i cili ka shërbyer si ambasador i Kinës në Ukrainë në periudhën 2005-2007.
“Rënia e Rusisë është e dukshme në të gjitha fushat... dhe ka pasur një ndikim të rëndësishëm negativ në ushtrinë ruse dhe në aftësitë e saj luftarake”, shtoi ai.
Kritikat e fshehura
Komentet e ish-ambasadorit Gao u bënë gjatë një seminari të mbajtur në prill në Pekin, që më vonë u publikuan nga Phoenix News Media, një rrjet televiziv që është pjesërisht në pronësi të shtetit kinez.
“Fuqia ekonomike dhe financiare e ushtrisë ruse, që nuk është përpjesëtim me statusin e të ashtuquajturës superfuqi ushtarake, nuk mund të mbështesë një luftë të teknologjisë së lartë”, tha Gao dhe shtoi: “Disfata e ushtrisë ruse, e shkaktuar nga varfëria, ishte e dukshme”.
SHIKONI EDHE: Çfarë po mëson Kina nga pushtimi rus i Ukrainës?Ky artikull u hoq disa orë pasi u publikua, por kritikat publike nga Gao janë pjesë e një numri në rritje të analistëve dhe ish-zyrtarëve kinezë, të cilët kanë shprehur skepticizëm rreth motiveve të Moskës për pushtimin dhe të ardhmen e saj si partnere, duke pasur parasysh dështimet ushtarake që ajo ka pësuar në Ukrainë.
“Ende nuk e shoh se si ndonjë shtet do të kishte guxuar ta pushtonte fuqinë ushtarake [numër] dy në botë”, shkroi një artikull në WeChat, Gong Fangbin, një strateg ushtarak dhe profesor kinez në pension.
“Rusia i ka treguar botës vazhdimisht se askush nuk guxon të prekë asnjë centimetër të tokës së saj”.
Artikulli i shkruar nga Gong po ashtu është censuruar, por ky shkrim tregon zhgënjimin në rritje në mesin e ekspertëve dhe studiuesve kinezë me argumentin se Moska është duke u mbështetur pas murit nga NATO-ja, aleancë që Rusia e kishte përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.
Përderisa analistët e tillë ende fajësojnë Uashingtonin për konfliktin, ata theksojnë një valë kritikash në rritje për veprimet e Rusisë, kritika që fillimisht u shfaqën në fillim të marsit kur Hu Wei, nënkryetari i Qendrës Kërkimore të Politikave Publike – një agjenci këshilluese shtetërore e Kinës – i bëri thirrje Pekinit që të distancohet nga Rusia sa më shpejt që të mundet, për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë.
Teksa natyra e luftës në Ukrainë ka vazhduar të evulojë, Pekini është bërë gjithnjë e më i kujdesshëm se si i qaset Moskës. Kompanitë kineze dhe Qeveria nuk kanë dërguar ndihmë ekonomike apo ushtarake për Rusinë dhe ndërmjetësit kinezë kanë qenë të kujdesshëm kur kanë bërë biznes me ekonominë ruse, në mënyrë që të shmangin sanksionet dytësore.
SHIKONI EDHE: Si e ka ndryshuar partneritetin Kinë-Rusi lufta në Ukrainë?Ndërkaq, diplomatët kinezë janë përpjekur që ta portretizojnë veten si neutralë në luftën e Ukrainës dhe kanë nisur të bëjnë kontrolle të dëmit me qëllim që të shmangin goditjet ndaj reputacionit të Kinës.
“Lufta e Rusisë me Ukrainë, pavarësisht se sa e arsyeshme është për t’iu përgjigjur zgjerimit të NATO-s, nuk mund të thuhet se është legjitime”, tha Zhao Bo, një oficer i lartë në pension i Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës.
Ai këto komente i bëri më 9 maj në një ngjarje të organizuar nga një instituti indian në Delhi.
“Të dyja [India dhe Kina] kanë pësuar paksa në terma të besueshmërisë sonë dhe reputacionit, sepse ne kemi refuzuar ta dënojmë hapur Rusinë”.
Nën sipërfaqe
Përderisa Pekini nuk ka treguar shenja se do të heqë dorë nga partneriteti me Rusinë, lufta në Ukrainë ka tensionuar politikëbërës dhe mendimtarë kinezë, të cilët e analizojnë trajektoren e ardhshme të vendit.
“Ne kemi dallime thelbësore në pikëpamjet dhe këndvështrimet tona në lindje me një rend ndërkombëtar”, tha Zhou, i cili shtoi se izolimi në rritje i Rusisë do të bëjë që ekonomia e saj e varur nga eksporti, të marrë goditje të mëdha.
Kjo mund të fshehë një çekuilibër në rritje midis dy shteteve, pasi ato ndajnë dëshirën që të punojnë kundër ndikimit të SHBA-së në mbarë botën, por të dyja janë gjithnjë e më divergjente në aftësitë e tyre për të bërë një gjë të tillë.
Duke pasur parasysh operacionin e spiunazhit kinez, i cili sipas Check Point ka nisur qysh në korrik të vitit 2021, Pekini dëshiron qasje në teknologjinë ushtarake ruse dhe në sekretet e ushtrisë së saj, diçka që besohet se Kina e ka synuar për dekada.
Pavarësisht luftës, bashkëpunimi ushtarak po ashtu është duke vazhduar. Më 24 maj, Kina dhe Rusia mbajtën stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Të dyja shtetet dërguan bombardues me aftësi bërthamore, që fluturuan mbi zona në verilindje të Azisë. Këto lëvizje u panë si shfaqje e forcës përderisa presidenti amerikan, Joe Biden, vizitoi rajonin.
Megjithatë, lufta në Ukrainë e ka dëmtuar imazhin e Rusisë në sytë e një grupi gjithnjë e më të madh të analistëve kinezë.
“Përveç arsenalit më të madh bërthamor, sa e rëndësishme do të jetë Rusia pas 20 vjetësh”, tha Zhou.