Çdo i pasionuar dhe përdorues dronësh që fluturon pajisjen e tij pranë vijës së parë të konfliktit në Ukrainë rrezikon të shënjestrohet menjëherë dhe me saktësi të lartë nga një breshëri artilerie.
Kjo falë një pajisjeje të diskutuar shumë të teknologjisë kineze të quajtur AeroScope. Sistemi i mbikëqyrjes është prodhuar nga kompania “DJI”, prodhuesi më i famshëm i dronëve në botë, dhe është në gjendje të zbulojë trajektoren e fluturimit të shumicës së pajisjeve të markës DJI dhe të përcaktojë saktësisht se ku ndodhet operatori i dronit.
DJI sqaron se AeroScope është konceptuar vetëm për përdorime nga ana e forcave të rendit, por Mykhaylo, një ekspert i dronëve nga organizata ukrainase “Aerorozvidka”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se "për fat të keq, ekzistojnë shembuj" të ukrainasve që shënjestrohen dhe vriten nga përdoruesit rusë të sistemit.
Aerorozvidka këtë javë shënon vitin e saj të tetë të themelimit. Organizata ukrainase nisi si një grup i të pasionuarve të dronëve që panë potencialin e teknologjisë së këtyre pajisjeve në luftë. Sot, grupi punon ngushtësisht me ushtrinë ukrainase dhe shihet gjerësisht si një faktor kyç në përpjekjet luftarake të Ukrainës. Bashkëthemeluesi i saj u vra në vitin 2015, ndërsa ishte në një mision zbulimi në Donbas.
Mykhaylo, i cili kërkoi që mbiemri i tij të mos përdoret në këtë artikull, thotë se Aerorozvidka ka pasur një ndikim "të rëndësishëm" në luftën e Ukrainës ndaj pushtuesve rusë, teksa përmend rolin e një ekipi operatorësh të dronëve, të cilët thuhet se shkuan me shpejtësi me motorë me katër rrota, drejt vijave të frontit rreth kryeqytetit ukrainas, në fillim të pushtimit në muajin shkurt, dhe përdorën bomba të hedhura nga dronët për të goditur autoblindat rusë.
"Ne luajtëm një rol shumë të rëndësishëm në operacionin e Kievit", thotë ai.
Mykhaylo thotë se për shkak të AeroScope, teknologjisë kineze të gjurmimit që përdoret nga forcat ruse, Aerorozvidka zhvilloi dronët e saj të aftë për të shmangur sensorin “DJI”.
Një oktokopter i prodhimit ukrainas i quajtur R18 fluturoi për herë të parë në vitin 2019 dhe ka mundur të shkatërrojë objektivat ruse me vlerë miliona dollarë duke lëshuar mbi to eksploziv me peshë deri në pesë kilogramë. Veçoritë e R18, duke përfshirë një rreze veprimi deri në 4 kilometra, rivalizojnë dronët më të mirë në treg dhe janë projektuar për kamuflazh të plotë vizual në errësirë.
Ndryshe nga shumica e dronëve komercialë, projektuesit e R18 kursyen peshë duke hequr këmbët e uljes, që do të thotë se droni duhet të ngrihet nga një platformë speciale dhe pasi të përfundojë misionin e tij, të "kapet" në ajër nga dikush në tokë.
R18, gjithashtu, ndryshon nga dronët komercialë pasi lejon përdorimin e kamerave me imazhe termike, të cilat tregojnë një pamje bardh e zi me rezolucion relativisht të ulët.
“Avantazhi është se ne mund të fluturojmë natën”, thotë Mykhaylo, kur shenjat termike të njerëzve dhe makinerive janë më të dallueshme se në ditët e ngrohta të verës dhe droni nuk mund të shënjestrohet nga zjarri i armëve të vogla.
Ushtarët rusë, thotë Mykhaylo, "kanë frikë nga vizitat tona, por ata kanë edhe më shumë frikë nga ne natën kur nuk kanë mundësi të shohin dronët tanë, por vetëm t’i dëgjojnë ato".
Pajisjet ruse të bllokimit të sinjaleve me valë të shkurtra konsiderohen ndër më të mirat në botë dhe frontet e luftës në Ukrainë përshkruhen si një lojë e vazhdueshme “mes maces dhe miut” -- ose "betejë radio-elektronike" -- midis operatorëve të dronëve dhe specialistëve të bllokimit të valëve.
Mykhaylo thotë se ka mënyra të ndryshme që përdoren nga pilotët ukrainas të dronëve për t'iu shmangur identifikimit, gjatë misioneve të zbulimit dhe atyre të bombardimeve nga ajri. Ai nuk është i gatshëm t'i diskutojë këto taktika në detaje, por disa pilotë të dronëve flasin mbi rëndësinë që ka fluturimi në nivel jashtëzakonisht të ulët drejt një objektivi për të shmangur zbulimin nga sistemet e radarit.
Zhvillimi i hershëm i teknologjisë së oktokopterëve të prodhimit vendas në Ukrainë, rezultoi një veprim i suksesshëm dhe largpamës. Në mars, kompania DJI iu përgjigj ankesës së një zyrtari të Qeverisë ukrainase mbi përdorimin e produkteve të tyre nga ushtarët rusë, duke e quajtur përdorimin e dronëve të tyre në luftë si "të papërshtatshëm". Më pas, në prill, kompania njoftoi se po ndalonte shitjet në Rusi dhe Ukrainë.
Një zëdhënës i kompanisë tha për agjencinë Reuters se "DJI dënon çdo përdorim të dronëve për të shkaktuar dëm dhe ne po i pezullojmë përkohësisht shitjet në këto vende për të siguruar që askush të mos i përdorë dronët tanë në luftime".