Metali i rëndë: Municioni radioaktiv që po i jepet Ukrainës

Pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i tha homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 21 shtator se një dërgesë e re armësh do të mbërrinte në Ukrainë "javën e ardhshme", Zelenskiy u përgjigj se paketa ka "pikërisht atë që u nevojitet tani ushtarëve tanë".

Kryesorja e dërgesës së re është ngarkesa e parë e tankeve Abrams të prodhuara në SHBA, të cilat me sa duket do të mbërrijnë me municionet e tyre të diskutueshme 120 milimetërshe me uranium të varfëruar.

Një tank M1A1 Abrams duke qëlluar në një terren stërvitor në Kaliforni.

Një tank M1A1 Abrams duke qëlluar në një terren stërvitor në Kaliforni.

Uraniumi i varfëruar (DU) është një nënprodukt i procesit të pasurimit të uraniumit që përdoret si lëndë djegëse bërthamore ose armë. Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të mëdha të materialit, i cili në thelb është mbetje bërthamore që është 60 për qind po aq radioaktive sa uraniumi i papërpunuar.

Që në vitet 1970, materiali filloi të testohej në një model predhe, e ngjashme me predhat e shkrepura nga topat e tankeve të projektuara për të shpuar pllakat e forta të blindave ballore të përdorura në tanket sovjetike të asaj kohe.

Shufra dhe kallëpe të uraniumit të varfëruar të fotografuar në një objekt në Kolorado në 1957.

Shufra dhe kallëpe të uraniumit të varfëruar të fotografuar në një objekt në Kolorado në 1957.

Përparësitë e DU-së (uraniumit të varfëruar), si një predhë depërtuese në automjete të blinduara janë të shumta, po ashtu edhe polemikat që kanë shoqëruar vazhdimisht përdorimin e tij.

Uraniumi është elementi më i rëndë natyror në Tokë. Një kub prej 10 centimetrash i metalit peshon rreth 20 kilogramë, duke i dhënë një vrull praktikisht të pandalshëm dhe, kur lidhet me sasi të vogla titani, DU-ja fiton forcë të ngjashme me çelikun.

Një ushtar britanik duke trajtuar modele predhash të bëra nga uraniumi i varfëruar për tanket Challenger 2, gjatë pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.

Ndryshe nga predhat tjera, që shtypen kur godasin, shigjetat antitank DU, "mprehen vetë" duke i prerë anët e tyre kur përplasen me blindën. Një karakteristikë e fundit makabre e materialit është aftësia e tij për të liruar një sprej avulli të tejnxehur që shpërthen në një top zjarri pasi depërton në mjetin e synuar.

Një tank i Irakut i shkatërruar nga Lufta e parë e Gjirit, mbi të cilin është shënuar "DU" me sprej, që tregon se është goditur me uranium të varfëruar dhe është i kontaminuar. Fotoja është bërë në një kantier skrapi në Kuvajt në vitin 2002.

Ky avull toksik e radioaktiv ka çuar në dekada kërkimesh, aktivizmi dhe frike për ndikimin e uraniumit të varfëruar te njerëzit dhe mjedisi. Pas Luftës së Parë të Gjirit, metali u fajësua për problemet serioze shëndetësore që pësuan veteranët e kësaj lufte, e njohur si "Sindroma e Luftës së Gjirit".

Ushtarët e Jugosllavisë së atëhershme duke matur nivelet e radioaktivitetit pranë qytetit jugor serb të Preshevës në vitin 2001, pasi avionët luftarakë qëlluan me mijëra plumba uraniumi të varfëruar gjatë bombardimeve të NATO-s.

Një studim i vitit 2008 nga Departamenti i Çështjeve të Veteranëve të SHBA-së, nuk gjeti asnjë lidhje midis ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar dhe problemeve të përhapura shëndetësore; edhe NATO-ja kishte arritur në të njëjtin përfundim më 2005.

Hulumtimet e mëvonshme, megjithatë, e kanë lidhur ekspozimin e uraniumit të varfëruar në kohën e luftës me probleme të shumta shëndetësore, duke përfshirë rritjen e shkallës së sëmundjes së kancerit në mesin e ushtarëve dhe civilëve që janë ekspozuar ndaj metalit.

Protestuesit japonezë formojnë mesazhin "NO WAR, NO DU" gjatë një tubimi për të kundërshtuar pushtimin e Irakut dhe përdorimin e uraniumit të varfëruar, më 2003.

Britania e Madhe e ka furnizuar Kievin me municione që përmbajnë uranium të varfëruar (DU) për tanket e saj Challenger që drejtohen nga ekuipazhe ukrainase që nga fillimi i vitit 2023.

Në mars, Kremlini iu përgjigj furishëm lajmit se predhat - për të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se kishin një "komponent bërthamor" - do t'u jepeshin forcave ukrainase.

Putini pretendon se Rusia posedon "qindra mijëra" predha me uranium të varfëruar si pjesë e armatimit të saj, dhe se "Rusisë do t'i duhet të përgjigjet në përputhje me rrethanat" ndaj municioneve, me të cilat furnizohet Ukraina.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi