Presidenti i Ukrainës, Voldymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë për krime kundër kufijve të shtetit të tij, kundër njerëzve, kundër dinjitetit të burrave dhe grave dhe kundër vlerave. Me luftën e saj të paligjshme, Rusia ka shkaktuar turbulenca katastrofike, jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë botën, ka thënë Zelensky, duke kërkuar krijimin e një gjyqi special për ndëshkimin e saj.
“Ndëshkim për krimin e agresionit. Ndëshkim për shkelje të kufijve dhe integritetit territorial. Ndëshkim që duhet të zbatohet derisa të rikthehet kufiri i njohur ndërkombëtarisht. Derisa të pushojë agresioni”.
Zelensky i është drejtuar kështu Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 21 shtator. Në këtë ditë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar mobilizim të pjesshëm ushtarak për luftën në Ukrainë, që nënkupton angazhimin e 300.000 forcave shtesë nga Rusia. Putin ka thënë se ato janë të nevojshme për të mbrojtur, sipas tij, njerëzit në territoret “e çliruara” nga regjimi i Kievit.
SHIKONI EDHE: Putin mobilizon rezervistët për luftë dhe kërcënon PerëndiminRusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë më 24 shkurt. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar afro 6.000 njerëz të vrarë, edhe pse kjo shifër besohet të jetë shumë më e lartë. Vetëm pak javë më parë në qytetin e Iziumit, është zbuluar një varrezë e dyshuar masive me mbi 440 trupa. Është thënë se shumica e tyre janë civilë, gra dhe fëmijë në mesin e tyre, disa edhe me shenja të torturës në trup.
Kremlini ka mohuar çdo përgjegjësi, por ngjarja është dënuar gjerësisht në qarqet ndërkombëtare. Presidenca e Bashkimit Evropian ka bërë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për ndjekjen penale të përgjegjësve. Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, vendi i të cilit kryeson BE-në, ka thënë se në shekullin 21, sulmet e tilla kundër popullatës civile janë “të paimagjinueshme dhe të neveritshme”.
“Ne mbështesim dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës. Unë bëj thirrje për ngritjen e shpejtë të një gjykate të posaçme ndërkombëtare, që do të ndiqte penalisht krimin e agresionit”, ka thënë Lipavsky.
Krimi i agresionit! Ekspertët ligjorë e përshkruajnë këtë si “krim i lidershipit”, i cili kryhet nga “ata që kanë fuqi dhe kapacitet për të zhvilluar ose vazhduar një luftë të paligjshme”. Në kontekstin e Ukrainës, mund të prekë presidentin rus, Vladimr Putin, ministrin e tij të Mbrojtjes, zyrtarët e tij ushtarakë, të inteligjencës e të tjerë.
Krimi i agresionit është ndjekur për herë të parë në një gjykatë ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. I njohur si Gjyqi i Nyrembergut, ai ka dënuar në vitet 1940 dhjetëra udhëheqës nazistë për krime të ndryshme, përfshirë luftën e agresionit. Nga ajo kohë, asnjë lider tjetër shteti nuk është ndjekur nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare për krimin e agresionit. Dhe, ekspertët ligjorë thonë se është vështirë, por jo e pamundur që udhëheqësit politikë dhe ushtarakë rusë të përballen me një gjyq të stilit të Nyrembergut.
- Mobilizimi rus mund të ngadalësojë ofensivën ukrainase, por jo ta ndalë
- Rusët aterojnë në Beograd pas vendimit për mobilizim
Leila Sadat, këshilltare e posaçme për krime kundër njerëzimit në Prokurorinë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përse duhet të ketë një gjyq special për krimin e agresionit, kur tashmë ekziston një tribunal ndërkombëtar në Hagë:
“Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka fuqi mbi krimin e agresionit. Vetëm krimet kundër njerëzimit, gjenocidi dhe krimet e luftës mund të gjykohen në këtë gjykatë. Andaj, shtetet që duan të ndjekin penalisht individë nga Federata Ruse, për shkak të pushtimit [të Ukrainës] ose përdorimit të forcës, duhet t’i shfrytëzojnë juridiksionet kombëtare ose të krijojnë gjykatë speciale. Këto janë dy opsionet e vetme”.
“Por, problemi me gjykatat kombëtare është se zyrtarët e rangut të lartë qeveritar, kanë imunitet derisa janë në detyrë. Dhe, kjo është arsyeja përse shtetet bëjnë thirrje për një gjykatë të veçantë ndërkombëtare”, thotë Sadat.
Your browser doesn’t support HTML5
Ekspertët ligjorë i mbështesin thirrjet për persekutimin e Rusisë për krim agresioni, duke thënë se pushtimi i Ukrainës ka qenë qartazi i paprovokuar. Sipas tyre, sulmi rus është në një shkallë të paparë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë se nuk kalon pa u ndëshkuar.
Susana Sacouto, drejtore e Zyrës së Kërkimeve për Krime Lufte në Kolegjin e Drejtësisë në Uashington, thotë për Exposenë se janë disa modele që mund të merren parasysh për krijimin e një gjyqi special për Rusinë.
“Një opsion është modeli i Nyrembergut, ku disa shtete mblidhen dhe hartojnë një traktat, që krijon një gjykatë speciale, me juridiksion mbi krimin e agresionit. Modeli tjetër do të bazohej në një marrëveshje midis Ukrainës dhe një organi të OKB-së - le të themi Asamblesë së Përgjithshme - që mund të pasqyrojë një konsensus më të gjerë politik. Ndërsa, opsion tjetër janë shtetet që e kanë agresionin në ligjin e tyre, pra kanë mundësi ta persekutojnë këtë vepër”, thotë Sacouto.
SHIKONI EDHE: Biden: Putin po tenton të zhdukë nga harta një shtet sovranEkspertët ligjorë thonë se krimet e dyshuara të luftës ose kundër njerëzimit supozohet se kryhen nga trupat ruse në Ukrainë dhe do të jetë vështirë të gjendet lidhja direkte mes tyre dhe udhëheqësve rusë.
Ish-kryeministri britanik, Gordon Brown, i cili mbështet themelimin e një tribunali të posaçëm për Ukrainën, thotë se Putin nuk bën të shpëtojë pa u ndëshkuar për krimet që, sipas tij, i ka urdhëruar vetë. Brown ka folur për CBS News:
“Nuk ka absolutisht asnjë dyshim që Putin është fajtor për krimin fillestar - atë që autorët e gjyqit të Nyrembergut e kanë quajtur ‘krim fillestar, themelor dhe suprem’, e që është krimi i planifikimit të agresionit kundër një shteti sovran”.
Your browser doesn’t support HTML5
Sacouto thotë se persekutimi i krimit të agresionit është i vështirë, sepse bota nuk ka ndonjë përvojë të vonshme, pas Nyrembergut. Për më tepër, shpjegon ajo, duhet të mblidhen prova që dëshmojnë se i dyshuari e ka planifikuar sulmin, e ka përgatitur dhe iniciuar.
Ukraina tashmë është duke punuar me organe të ndryshme ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe ka ngritur akuza kundër disa njerëzve brenda sistemit të saj të drejtësisë. Sacouto thotë se kjo mund të çojë gradualisht drejt persekutimit të krimit të agresionit.
“Është e vërtetë që Ukraina ka në paraburgim disa autorë rusë ose autorë të dyshuar të krimeve. Nuk ka udhëheqës apo zyrtarë të nivelit të lartë. Por, mendoj se ky do të jetë një proces i ngadalshëm i ndërtimit të rasteve - nga niveli i ulët në atë të mesëm - derisa të arrihet te zyrtarët e nivelit më të lartë”, thotë Sacouto.
Edhe Leila Sadat thotë se ky është një proces i vështirë, por i realizueshëm.
“E dimë se rusët në terren po përdorin kanale të hapura të radios, kemi shumë prova digjitale që po mblidhen dhe kemi shumë prova mjekoligjore që po mblidhen. Në këtë aspekt, prapë është e vështirë, sepse duhet të bëhet ajo lidhja midis tmerrit në terren dhe individit që e urdhëron me qëllime kriminale. Por, jemi në një situatë të mirë, sepse [në Ukrainë] ndodhet tashmë [një ekip] i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që është i gatshëm ta bëjë këtë”, thotë Sadat.
Ajo shton se ka edhe sfida praktike për ngritjen e një gjyqi special, si: lokacioni dhe ndarja e mjeteve për të. Po ashtu kujton se edhe Ukraina duhet t’i respektojë ligjet e luftës.
SHIKONI EDHE: A është Putin një Hitler i ditëve të sotme?E pyetur se sa kohë mund të marrë vendosja eventuale e drejtësisë për luftën në Ukrainë, Sacouto, nga Kolegji i Drejtësisë në Uashington, përmend rastet e të dënuarve për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.
“Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë i janë dashur mbi 20 vjet për të ndjekur penalisht udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, Mlladiq dhe Karaxhiq. Po, janë dashur 20 vjet. Gjashtëmbëdhjetë vjet kanë qenë në arrati dhe pesë vjet janë persekutuar. Nuk është e lehtë. Mund të marrë kohë. Por, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka persekutuar dhe dënuar Mlladiqin e Karaxhiqin. Pra, ekziston mundësia - edhe pse jo menjëherë - që [Putin] të ndiqet penalisht”, thotë Sacouto.
Putin ka nisur luftën më të madhe në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore me justifikimin se Ukraina, me prirje perëndimore, është një kërcënim i vazhdueshëm dhe se “Rusia nuk mund të ndihet e sigurt”. Prova për pretendimet e tilla nuk ka. Pyetjet se cili është qëllimi i tij përfundimtar, a ka synime përtej Ukrainës apo rrugëdalje nga kjo luftë, mbeten të hapura.