Marina amerikane tha të martën se ka shkatërruar një anije që po transportonte “materiale shpërthyese” nga Irani për rebelët Huthi në Jemen.
Anija, të cilën marina amerikane e kapi më 8 nëntor në Gjirin e Omanit, u fundos të dielën, tha Flota e Pestë e Shteteve të Bashkuara, me bazë në Bahrejn.
“Anija dhe katër anëtarët e ekuipazhit të saj jemenas u kapën derisa po kalonin transit nga Irani, përgjatë një rruge që historikisht përdoret për të trafikuar armë për rebelët Huthi në Jemen”, thuhet në deklaratën e marinës amerikane.
Forcat amerikane zbuluan më shumë se 100 tonë plehëra të uresë dhe mbi 70 tonë perklorat amoniumi - përbërës kyçë për prodhimin e karburantit të raketave dhe eksplozivëve, thuhet po ashtu në deklaratë.
“Kjo është një sasi masive e materialit shpërthyes, e mjaftueshme për dhjetëra raketa balistike me rreze të mesme veprimi, varësisht madhësisë së tyre”, tha zëvendësadmirali amerikan, Brad Cooper.
“Transferimi i paligjshëm i ndihmës vdekjeprurëse nga Irani nuk kalon pa u vënë re”, shtoi ai.
Katër marinarët jemenas iu dorëzuan rojës bregdetare jemenase.
SHIKONI EDHE: Lufta e padukshme: Në vijën e frontit në JemenLufta në Jemen ka shpërthyer në vitin 2014, kur rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë pushtuar kryeqytetin Sana.
Kjo ka bërë që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte disa muaj më vonë, për të mbështetur Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit.
Që atëherë, lufta ka lënë të vrarë qindra mijëra njerëz dhe ka çuar vendin në prag të urisë.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që ka hyrë në fuqi në muajin prill, i ka zvogëluar armiqësitë, por ai armëpushim ka skaduar më 2 tetor dhe luftimet vazhdojnë.