Ushtria ukrainase ka raportuar për luftime të ashpra pasi forcat ruse sulmuan disa qytete në zonën Donbas, në lindje të Ukrainës, në orët e hershme të së shtunës.
Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për Kievin po përqendrohet në mbrojtje ajrore dhe zyrtarë të shteteve perëndimore kanë paralajmëruar se Moska ka nevojë gjithnjë e më të madhe për armatim pasi po i pakësohen rezervat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten, në adresimin e tij të përnatshëm, se trupat ushtarake të Moskës e kanë sjellë “ferrin nën flamurin rus” në vendin e tij.
Ai e cilësoi “shumë të vështirë” situatën në disa zona të Ukrainës lindore ku luftimet ishin më të ashpra, veçanërisht në Bakhmut, Soledar dhe Kremina.
Zelenskiy e quajti Bakhmutin – një qytet që numëronte rreth 70 mijë banorë para fillimit të luftës – “një tjetër qytet të Donbasit që ushtria ruse e ka shndërruar në rrënojë të djegur”.
Ai tha se ka kohë që nuk ka “hapësirë rezidenciale që nuk është dëmtuar nga sulmet me raketa”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se Rusia po bëhet gjithnjë e më e varur në Teheranin zyrtar për ta vazhduar luftën në Ukrainë, përderisa vazhdon frika nga rreziku i përshkallëzimit në një konflikt më të gjerë tani që ka nisur muaji i dhjetë i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Barbara Woodward, tha të premten se përveç qindra dronëve iranianë që i janë dërguar Rusisë që nga gushti për “vrasjen e civilëve dhe sulmet ilegale me cak infrastrukturën civile” në Ukrainë, “Rusia tani po tenton të sigurojë armë të tjera, përfshirë këtu qindra raketa balistike”.
SHIKONI EDHE: SHBA: Rusia dhe Irani, drejt partneritetit të plotë ushtarakWoodward tha gjithashtu se Londra është “pothuajse e sigurt se Rusia po tenton të sigurojë armatim nga Koreja e Veriut [dhe] vendet e tjera të sanksionuara, përderisa rezervat e veta dukshëm po pakësohen”.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha në takimin e Këshillit të Sigurisë se Moska i ka mohuar disa herë sugjerimet e shteteve perëndimore se po furnizohet nga Irani.
“Kompleksi industrial ushtarak në Rusi mund të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe nuk ka nevojë për ndihmën e askujt, ndërsa industria ushtarake e Ukrainës në thelb as nuk ekziston dhe po ndihmohet nga industria perëndimore dhe kompanitë perëndimore”, tha ai.
Këto diskutime u zhvilluan gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë që ishte thirrur nga Rusia lidhur me armët “që po bien në duart e banditëve dhe terroristëve” në Evropë dhe përtej.
Ndërkohë, pas luftimeve në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, e përshkroi gjendjen përreth qytetit të Bakhmutit si “ferr në tokë”.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Luftimet në Donbas, më të vështiratRajoni i Donbasit në lindje të Ukrainës ka qenë fokusi i luftimeve ruse që kur forcat ukrainase shënuan fitore të mëdha në zonat më perëndimore, para fillimit të dimrit me temperatura të ulëta.
Në orët e hershme të së shtunës, stafi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase i listoi tre zona në rajonin e Luhanskut dhe disa të tjera në rajonin e Donetskut ku tha se forcat ukrainase i kishin zmbrapsur sulmet e forcave ruse gjatë luftimeve të ashpra.
Mbi 20 zona banimi vetëm në Bakhmut u goditen gjatë këtyre luftimeve, sipas ushtrisë së Ukrainës.
Zyrtarët rajonalë ukrainas thanë se ushtria ruse i kishte sulmuar “masivisht” vendbanimet në Nikopol dhe Marganets në rajonin Dnipropetrovsk gjatë natës mes 9 dhe 10 dhjetorit, duke i lënë të paktën katër persona të vdekur.
Kryesuesi i administratës rajonale, Valentyn Reznychenko, i shpërndau disa fotografi të zonave të banimit që ishin bombarduar dhe tha se 11 ndërtesa ishin goditur, ndërsa ishin dëmtuar disa objekte civile, si kopshte për fëmijë.
Radio Evropa e Lirë nuk mund të vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet për fitoret, humbjet apo numrin e të vdekurve nga asnjëra palë në zonat e luftimeve të rënda.
Ushtria ukrainase tha se i kishte rrëzuar dhjetë dronë iranianë të premten në zonat Herson, Nikolayiv dhe Odesa.
Shtëpia e Bardhë e lajmëroi një tjetër pako ndihme, 275 milionë dollarëshe, për Ukrainën për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes ajrore, veçanërisht kundër dronëve rusë.
“Ne ndihemi të përkrahur nga shtetet si dhe organizatat ndërkombëtare dhe institucionet e të drejtave të njeriut”, tha Zelensky.