Lufta e padukshme: Në vijën e frontit në Jemen

Një luftëtar besnik ndaj qeverisë së Jemenit, që mbështetet nga Arabia Saudite, duke shikuar nga rebelët huthi, të cilët përkrahen nga Irani, në provincën perëndimore jemenase të Hodeidës, më 21 nëntor. Kjo fotografi është një prej disa të tillave të shkrepura së fundmi nga fotoreporterët, që shfaqin vijën e frontit të konfliktit që po zhvillohet sot në perëndim të Jemenit.

Luftëtarë proqeveritarë në Hodeida, më 21 nëntor. Konflikti në Jemen po vazhdon që nga viti 2014, dhe shihet gjerësisht si një luftë në distancë ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite.

Luftëtarët huthi duke ecur drejt vijës së frontit, në distriktin Al-Xhubah, në provincën jemenase të Maribit. Huthit janë lëvizje e formuar në vitet e 1990-ta, nga minoriteti shi’it i Jemenit.

Huthit në Marib. Grupi ka lindur me qëllimin për të kundërshtuar ndikimin e Arabisë Saudite fqinje në jetën fetare në Jemen, por më pas ka zgjeruar misionin e tij të deklaruar për të përfshirë premtimet për qeverisje më të mirë në vendin e varfëruar arab.

Shpërthimi i një predhe në një mal gjatë luftimeve ndërmjet luftëtarëve besnikë ndaj qeverisë së Jemenit dhe luftëtarëve huthi. Pas protestave të “Pranverës Arabe”, që kapluan pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme më 2011, militantët huthi filluan të marrin territore në kontroll në Jemen, ndërsa më 2015 e rrëzuan presidentin e vendit, për të marrë në dorë kryeqytetin, Sana.

Një funeral i luftëtarëve rebelë huthi, të vrarë në beteja me trupat qeveritare të mbështetura nga sauditët, në rajonin e Maribit. Huthit janë bërë famëkëqij për “bërtitjen” e tyre identifikuese “vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, mallkuar hebrenjtë, fitore për Islamin”. Disa udhëheqës huthi janë distancuar publikisht nga thirrja.

Forcat proqeveritare jemenase duke luftuar kundër rebelëve huthi në Marib, më 10 nëntor. Në reagim ndaj marrjes së pushtetit nga huthit, më 2015, Arabia Saudite, bashkë me disa vende të tjera myslimane, ndërmorën një intervenim ushtarak në Jemen, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Një hark i dëmtuar nga luftimet në periferi të Hodeidës, më 13 nëntor. Qytet-porti në Detin e Kuq është marrë nga forcat huthi këtë muaj. Sipas një raporti nga AP, aleanca kontroverse e udhëhequr nga sauditët kundër huthive ka bashkëpunuar ngushtë me Al-Kaidën në Jemen.

Luftëtarët besnikë ndaj qeverisë jemenase, të mbështetur nga sauditët, duke ngakuar një predhë, në provincën veriperëndimore të Maribit, më 27 tetor. Përderisa Arabia Saudite mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, Irani besohet gjerësisht se mbështet rebelët huthi si pjesë e një përpjekjeje për të rritur ndikimin e tij në rajon.

Vendi ku shpërtheu një veturë e mbushur me eksplozivë, me ç’rast u vranë 12 persona, përfshirë fëmijë, pranë aeroportit të Adenit, më 30 tetor. Përveç aleancave komplekse në secilën anë të luftës së gjatë, edhe grupi Shteti Islamik ka bërë kërdi në të dyja anët e konfliktit, me disa sulme me bomba, që kanë lënë të vrarë qindra persona.

Një djalë i plagosur jemenas duke qëndruar në një spital, në Taez, më 30 tetor. Sipas UNICEF-it, Jemeni aktualisht përbën krizën më të madhe humanitare në botë, me rreth 21 milionë njerëz në nevojë për ndihmë, përfshirë më shumë se 11 milionë fëmijë.

Një luftëtar besnik ndaj qeverisë jemenase, të mbështetur nga sauditët, në Marib. Ky qytet është bastioni i fundit i forcave proqeveritare në vend, dhe beteja për të tashmë ka filluar.

Luftëtarët besnikë ndaj qeverisë jemenase, që përkrahet nga Arabia Saudite, në periferi të Maribit. Ndonëse Teherani e ka mohuar përfshirjen e tij, ministri i Jashtëm i Jemenit ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, më 21 nëntor, se qytetet i kontestuar i Maribit “është bërë një ndër prioritetet më strategjike për regjimin iranian dhe për ndihmësit e tij në rajon”.