Ashpërsohet lufta në Bahmut: "Shpërthime çdo minutë"

Ushtarët ukrainas duke kaluar pranë grafiteve që deklarojnë "Bahmuti e do Ukrainën", më 18 dhjetor.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, aktualisht po dërgojnë shumë njerëz dhe materiale në luftën për Bahmutin, një qytet në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, i cili ka një rëndësi relativisht të vogël ushtarake, por është bërë një simbol i kontestuar ashpër nga të dyja palët.

Një tank ukrainas i fotografuar në periferi të qytetit të sulmuar.

Forcat pushtuese ruse arritën fillimisht në periferi të Bahmutit në korrik, para se vala e luftës të dukej se po lëvizte në favor të Ukrainës pas disa tërheqjeve ruse.
 

Një ndërtesë e rrënuar në Bahmut.

Këto imazhe janë bërë nga fotoreporteri ukrainas Andriy Dubchak për projektin Donbas Frontliner më 18 dhjetor, ndërsa betejat vazhduan të ashpërsohen në periferi të Bahmutit, që ndodhet rreth 65 kilometra nga Donjecku.

Ushtarët ukrainas duke pushuar në një bazë nëntokësore në Bahmut.

Nga popullsia prej rreth 70.000 banorësh sa ishte në kohë paqeje, vetëm rreth 10.000 njerëz kanë mbetur në qytet.

 

Një banor civil në Bahmut duke mbajtur sëpata në duar. Banorët po përdorin trungjet e pemëve për t'u ngrohur dhe për të gatuar ushqim.

Në një postim në rrjetet sociale, fotografi Andriy Dubchak thotë se shpërthime dëgjohen "çdo minutë" në qendër të Bahmutit.

Xhamat e thyer në një ndërtesë në Bahmut.

Ushtarët ukrainas thonë se forcat ruse, aktualisht, po përdorin taktika shumë të kushtueshme në të cilat ushtarët e trajnuar dobët urdhërohen të përparojnë drejt vijave ukrainase të frontit në mënyrë efektive si "karrem" për të tërhequr zjarrin, duke ndihmuar ushtarët në pjesën e pasme që t'i identifikojnë pozicionet ukrainase.

 

Trupat ushtarake duke kaluar pranë një kafeneje të shkatërrar nga granatimet në Bahmut.

Granatimet e vazhdueshme në qendër të Bahmutit, thotë Dubchak, janë "me të vërtetë të çmendura, me të vërtetë të frikshme", sepse "Rusia granaton pa asnjë logjikë".

Një burrë duke bartur një degë peme që do ta përdorë për dru zjarri, kurse në murin pranë tij shihet një grafit: "Lavdi Ukrainës!"

Dubchak thotë se arsyet pse po qëndrojnë banorët në qytet janë të ndryshme, si mbrojtja e pronave të tyre apo frika se si do të ishte jeta si një person i zhvendosur brenda vendit. Sipas Dubchakut, ka edhe disa civilë që presin ardhjen e "botës ruse" të premtuar në propagandën e Kremlinit.

Një ushtar ukrainas me dorën lart në një bazë ushtarake të nëndheshme.

Luftëtarët ukrainas i thanë Dubchakut se luftimet janë bërë disi më të lehta se në javët e para të pushtimit të vitit 2022, falë furnizimit me armë kryesisht perëndimore dhe përvojës nga betejat që forcat e Kievit e kanë arritur tani.

Megjithatë, Dubchak thotë për qytetin e ngrirë dhe të rrethuar se "Bahmuti është një makth".

Fotoreporteri ukrainas, Andriy Dubchak, i cili raporton nga qyteti i sulmuar i Bahmutit, aktualisht një nga pikat qendrore të pushtimit rus, sjell fotografi nga jeta në këtë qytet. Përgatiti: Syzanë Paçarizi