Vritet një adoleshent në Londër gjatë një sulmi me shpatë

Një zyrtar policor në vendin ku ndodhi sulmi në Londër më 30 prill 2024.

Një djalë 13 vjeç është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi në Londër. Autoritetet thanë se sulmin e kreu një person me shpatë.

Policia tha se nuk besojnë se incidenti është i lidhur me terrorizëm.

I dyshuari, një burrë 36 vjeç, u arrestua nga autoritetet pas incidentit që ndodhi në lindje të Londrës. Sipas videove të publikuara, i dyshuari shihej i veshur me rroba me ngjyrë të verdhë dhe duke tundur shpatën.

“Me pikëllim të madh iu konfirmoj se një prej të plagosurve, një djalë 13 vjeç, ka vdekur. Ai u dërgua në spital, pasi ishte therur, por vdiq pak kohë më pas”, tha shefi i policisë në Londër, Stuart Bell.

Dy civilë të tjerë dhe dy policë po ashtu janë në spital me lëndime jovdekjeprurëse. Megjithatë, Bell tha se dy policët e plagosur do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

Autoritetet në Londër thanë se nuk besojnë se tani ka rrezik për komunitetin dhe nuk besojnë se ka të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë incident.