Lojtarja që la SHBA-në për Kosovën

Your browser doesn’t support HTML5

Monasia Bolduc, lojtarja që la SHBA-në për Kosovën

Monasia Bolduc nga New Yorku, në fillim të këtij viti është bërë pjesë e ekipit të basketbollit të Prishtinës për femrat.

Ajo është basketbollistja e parë me ngjyrë që luan për ekipin e femrave për Prishtinën.

25-vjeçarja thotë për Radion Evropa e Lirë se ka gjetur ambient mikpritës në Kosovë.

Dita e saj fillon herët në mëngjes, me ushtrime. Pas tyre ajo thotë se del me shoqet e ekipit të saj për drekë, për të cilat tregon se e kanë mirëpritur me duar të hapura. Monasia, gjithashtu, tregon se ndonjëherë i duhet të qëndrojë deri natën vonë zgjuar, pasi Kosova ka dallim kohor me SHBA-në, në mënyrë që të jetë në kontakt me familjarët e saj.

“Kur kam ardhur dhe ende ndodh që të gjithë të m’i ngulin sytë. Në fillim ishte e sikletshme dhe e pakëndshme, por pastaj jam mësuar. Njerëzit janë shumë miqësorë këtu, janë shumë të mirë. Kur futem brenda, ndonjëherë m’i ngulin sytë, ndonjëherë më thonë ‘Tung’ dhe më përshëndesin. Nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Askush nuk më ka thënë apo bërë ndonjë gjë të keqe”, thotë Monasia Bolduc.

Ajo e përshkruan basketbollin si dashurinë e saj. Bolduc thotë se kur gjithçka shkon gabim, ajo gjen strehim te ky sport.

“Për mua basketbolli është gjithçka. Është vendi im i lumturisë. Që kur isha e re, në fillim kur kam filluar të luaj, edhe pse nuk kam dashur të luaj basketboll, por kur kam filluar të luaj, kam rënë në dashuri me të. Dhe, kur gjithçka shkon gabim, mendjen e kam të mbushur, unë strehohem te basketbolli dhe kjo gjë më ndihmon ta liroj stresin. Më ndihmon të jem në një vend më të mirë, sa herë që jam në fushë”, rrëfen ajo.

Monasia thotë se në Kosovë duhet të krijohen më shumë mundësi për femrat që të merren me sport.

“Nga ajo që shoh këtu, mund të them se nuk ka shumë mundësi si në SHBA për të luajtur basketboll, sidomos për gratë. Shoh që ka më shumë ekipe të meshkujve sesa të grave. Gjithashtu, e shoh se sporti nuk promovohet e më së paku basketbolli. Në moshë më të re, nëse nuk njihni shumë njerëz këtu, që janë të përfshirë në sport, atëherë ka shumë gjasë që nuk do të bëhesh pjesë e sportit. Kjo është ajo që unë e kam parë. Mendoj se është shumë e rëndësishme dhe mendoj se duhet të ketë më shumë mundësi për fëmijët që të merren me sport, duke mos paguar për të”, thotë basketbollistja.

Sipas saj, basketbolli nuk është sport vetëm për meshkuj, edhe gratë mund të jenë të suksesshme, gjithashtu.