Papa Françesku ka thënë të premten se Lojërat Olimpike do të mund të ofrojnë mundësi për unitet kombëtar në Francë.
Ai i ka bërë këto deklarata pak para nisjes së këtyre Lojërave në Paris, më 26 korrik.
“Shpresoj që organizimi i këtyre Lojërave do të jetë mundësi për të gjithë njerëzit në Francë që të kenë harmoni, të kalojnë përtej dallimeve dhe opozitës, dhe të lejohet forcimi i unitetit të kombit”, ka thënë Papa përmes një letre.
Thirrja e tij vjen në kohën e dallimeve të theksuara në politikën franceze, meqë zgjedhjet e kanë lënë vendin pa një rrugë të qartë për formim të Qeverisë.
Në thirrrjen e Papës janë përsëritur thirrjet për arritjen e armëpushimeve në botë, në kohën e mbajtjes së Lojërave, të cilat i ka përshkruar si organizim “që natyrshëm sjell paqe dhe jo luftë”.
Lojërat Olimpike do të përfundojnë më 11 gusht.
Këtë vit, Kosova përfaqësohet me nëntë sportistë.