Sponsorët e Tokio 2020 anulojnë stendat dhe ndejat

Lojërat Olimpike Tokio 2020 (Foto ilustruese)

Sponsorët e Lojërave Olimpike në Japoni, po anulojnë ose po kthejnë mbrapsht kabinat dhe ngjarjet promovuese, të lidhura me Lojërat Olimpike Tokio 2020, të irrituar nga vendimet e “minutës së fundit” nga organizatorët dhe vonesa nëse do të lejohen spektatorët apo jo, thonë burimet e agjenicsë së lajmeve Reuters.

Lëvizjet nga një mori kompanish, duke përfshirë kompanitë Canon, Tokio Marine & Nichido Fire Insurance dhe Ajinomoto, nxjerrin në pah situatën delikate për sponsorët, të cilët e kanë lidhur veten me Lojërat Olimpike tashmë të goditura nga pandemia prej COVID-19 dhe kundërshtimet publike.

Rreth 60 kompani japoneze paguan një shumë rekorde prej më shumë se 3 miliardë dollarësh për të drejtat e sponsorizimit dhe më pas 200 milionë dollarë të tjerë për të zgjatur kontratat e tyre, pasi Lojërat Olimpike u shtyn vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Ndryshe nga “partnerët e përbotshëm”, me marrëveshje shumëvjeçare, sponsorët e brendshëm përfshihen vetëm në Lojërat e Tokios.

Ata janë zhgënjyer nga ato që një nga burimet i përshkroi si vendime “të improvizuara” nga organizatorët, veçanërisht vonesa disa mujore nëse do të lejohen spektatorët të marrin pjesë apo jo.

SHIKONI EDHE: Japonia i lejon tifozët në Olimpiadë

Organizatorët kishin ndaluar spektatorët jashtë shtetit dhe kishin planifikuar një numër maksimal për shikuesit vendas me 50 për qind të kapacitetit, ose deri në 10.000 njerëz.

Por, tani vetëm dy javë para fillimit, Japonia ka të ngjarë të ndalojë të gjithë spektatorët, pasi po përgatitet të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme për Tokion, ku dhe do të organizohen lojërat. Tokio kohët e fundit raportoi 920 raste me koronavirus brenda ditës, shifra këto më të lartat që nga maji.

“Më në fund po marrim vendime vetë, pa pritur sugjerimin e organizatorëve”, tha një burim, një punonjës i një sponsori, i cili, ashtu si njerëzit e tjerë të intervistuar, nuk pranoi të identifikohej sepse informacioni i dhënë nuk është publik.

“Sponsorët janë të dënuar nëse e bëjnë dhe janë të dënuar nëse nuk e bëjnë, por të gjithë kanë marrë masa”.

Tokio 2020 tha se ata nuk mund t’i përgjigjeshin menjëherë një kërkese për komente, për shkak të numrit të madh të pyetjeve.

Organizatorët kanë vendosur të marrin zyrtarisht një vendim për spektatorët, më vonë gjatë të enjtes, tha e përditshmja Asahi.

SHIKONI EDHE: Shitësi ambulant që kërkon medalje në Lojërat Olimpike

Kabina e promovimit

Prodhuesi i kamerës Canon Inc (7751.T) dhe Tokio Marine & Nichido Fire Insurance Co, një njësi e Tokio Marine Holdings Inc (8766.T), kanë hequr dorë nga planet për të ngritur kabina promovimi, përgjatë “Shëtitores Olimpike”, thanë dy njerëz të njoftuar me këtë çështje.

Zona në shëtitoren buzë bregdetit të Tokios, supozohej të kishte “vende të freskëta, zona pushimi dhe hapësira ngrënieje” si dhe të ishte e hapur për spektatorët dhe mbajtësit e biletave, gjithnjë sipas organizatorëve.

Por, organizatorët u kanë kërkuar spektatorëve që të udhëtojnë drejt prej vendeve nga vijnë pa ndonjë devijim dhe ky është një “faktor i madh” kundër ngritjes së kabinave, tha një nga njerëzit, pasi kjo do të thotë që spektatorët, nëse veç lejohen, nuk do të mund t’i vizitojnë stendat.

SHIKONI EDHE: Kosova shpreson të përfaqësohet me 12 sportistë në Lojërat Olimpike në Tokio  

Canon kishte planifikuar të vendoste një vend fotografiimi për vizitorët, shtoi burimi në fjalë. Ndërkaq, vetë kompania nuk pranoi të komentojë.

Një zëdhënës i Tokio Marine & Nichido Fire Insurance, tha se për momentin nuk ka plane për ndojë stendë.

Sidoqoftë, marka Omega e Swatch Group, një sponsor global dhe sponsori i brendshëm Eneos Holdings Inc (5020.T), i thanë Reutersit se ata do të vazhdojnë me planet e tyre për stendat.

Kabinat përgjatë shëtitores ka të ngjarë të anulohen, nëse ndalohen spektatorët, tha një person nga komiteti organizativ.

Tokio 2020 tha se planet për zonën në fjalë nuk janë anuluar dhe se po përfundojnë një listë të sponsorëve që do të marrin pjesë në të.

Prodhuesi i veshjeve sportive Asics Corp (7936.T), ndërpreu zbulimin publik të planifikuar të një monumenti katër metra të gjatë, të yllit japonez të pingpongut, Kasumi Ishikawa, në zonën Shibuya të Tokios.

Kompania ishte e shqetësuar që monumenti – i quajtur “Kasumi i Madh” – do të tërhiqte një turmë të madhe njerëzish. Ky monument po ruhet në një depo të Asics derisa të përcaktohet një vendndodhje tjetër për të, tha një zëdhënës.

Nuk është kohë për ndeja

Sponsorët gjithashtu kanë pakësuar planet për argëtimin e klientëve, duke përfshirë shefat kryesorë ekzekutivë të Japonisë, siç ka thënë punonjësi i një sponsori.

Kompanitë kishin planifikuar ahengje me makina private, sallë pritjeje me mysafirë të famshëm, por deri në qershor, ato u reduktuan thjesht në bileta olimpike me qëndrim në hotel ose dhurata, tha po ky punonjës.

Rreth 14 sponsorë, tani po heqin ose po pakësojnë edhe më tej planet e tyre, tha punonjësi në fjalë.

Prodhuesi i sezonave Ajinomoto (2802.T) vendosi muajin e kaluar të heqë programin e tij të mikpritjes dhe nuk ka në plan të japë më bileta për konsumatorët, tha një zëdhënës tjetër.

Një zëdhënës i Panasonic (6752.T), nuk pranoi të komentonte mbi detajet e programit të tij të mikpritjes, por tha se ai mund të ndryshohet ose të anulohet, në varësi të situatës pandemike.

Disa kompani janë gjithashtu të shqetësuara nëse ia vlen të lidhen me lojërat që janë jopopullore për publikun, kjo sipas shumë burimeve. Sipas sondazheve, shumica e japonezëve janë kundër që Lojërat Olimpike të shkojnë përpara.

Një burim brenda një kompanie sponsorizuese, tha se ekziston shqetësimi që publiku do ta shihte si “të padrejtë”, që sponsorët të mund të marrin pjesë në vend të mbajtësve të tjerë të reklamave. “Është një situatë e vështirë”, tha ai.

Kompanitë gjithashtu po shqetësohen për reklamat e këqija, nëse drejtuesit e tyre shfaqen drejtpërdrejt në televizion në stadiume.

Një punonjës ekzekutiv i një sponsori, u kujtua t’i shikonte nga afër të famshmit në një ngjarje të madhe sportive botërore.

“Fytyrat e tyre u dukën qartë”, tha ai.

“Çdo punonjës ekzekutiv i lartë i njohur, me siguri do të dallohej në një mënyrë të keqe në Lojërat Olimpike, nëse zmadhohen ashtu”.

Përgatiti: Durim Abdullahu