K. Veriore nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios

Flamuri i Koresë Veriore.

Koreja Veriore ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios këtë vit, duke thënë se përmes këtij vendimi synon të ruajë atletët nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Ky vendim u jep fund shpresave të Koresë Jugore për shfrytëzim të këtyre Lojërave për të kontaktuar me Korenë Veriore, meqë bisedimet mes dy vendeve janë të bllokuara.

Më 2018, të dyja palët patën krijuar një ekip të përbashkët në Lojërat Olimpike Dimërore, çka më pas ka rezultuar në mbajtjen e një serie samitesh historike.

Phenjani ka thënë se nuk ka asnjë rast të infektuar me koronavirus, mirëpo ekspertët besojnë se një gjë e tillë nuk është e mundur.

Ky njoftim e kthen Korenë Veriore në shtetin e parë të madh që heq dorë nga organizimi që ishte planifikuar të mbahej më 2020, por që është shtyrë për shkak të pandemisë.

Lojërat Olimpike të Tokios pritet të nisin më 23 korrik të këtij viti.

SHIKONI EDHE: Shtyrja e Lojërave Olimpike kushtoi rreth 2 miliardë dollarë

Kjo do të jetë hera e parë që Koreja Veriore mungon në Lojërat Olimpike Verore nga viti 1988, periudhë kur pati bojkotuar lojërat në Seul, gjatë Luftës së Ftohtë.

Shpresa të thyera

Vendimi për mospjesëmarrje është marrë në Komitetin Olimpik, gjatë një takimi me 25 mars, sipas raportimi të faqes shtetërore Sports.

Koreja Veriore ka marrë masa të ashpra kundër koronavirusit, prej shpërthimit të pandemisë vitin e kaluar.

Ky shtet ka mbyllur kufijtë në fund të muajit janar dhe më vonë ka kërkuar nga qindra të huaj që t’i nënshtrohen karantinës.

Prej fillimit të vitit të kaluar, është ndaluar që trenat dhe vagonët të hyjnë apo të largohen nga Koreja Veriore, ndërkohë që janë ndalur edhe shumica e fluturimeve ndërkombëtare me pasagjerë.

SHIKONI EDHE: Lojërat Olimpike do të mbahen pa publik të huaj

Së fundmi ka pasur shpresa nga presidenti jugkorean Moon Jae-in se Lojërat Olimpike mund të jenë katalizator për përparimin në mes të dy Koreve.

Ashtu ka ndodhur më 2018, kur Koreja Veriore pati dërguar 22 atletë në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë Jugore, bashkë me zyrtarë qeveritarë, gazetarë dhe 230 pjesëtarë të grupit të tifozëve.

Në mesin e kontingjentit të atëhershëm ka qenë motra e liderit të Koresë Veriore, Kim Yo-jong – hap që pati ndihmuar në diplomaci më të afërt me Korenë Jugore dhe Shtetet e Bashkuara.

Bisedimet që kanë pasuar këto organizime kanë rezultuar me një seri të takimeve historike, të profilit të lartë, në mes të liderit verikorean, Kim Jong Un dhe ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Atëbotë ka pasur shpresa për përmirësim të marrëdhënieve, mirëpo asgjë nuk pati ndodhur dhe atmosfera prej atëherë është përkeqësuar.

Koreja Veriore dhe ajo Jugore teknikisht janë ende në luftë sepse mes tyre nuk ka ndonjë marrëveshje për paqe prej kur ka përfunduar Lufta Koreane më 1953.

Shqetësimet e Japonisë për COVID-19

Ndërkohë në Japoni, një ngjarje përgatitore Olimpike është anuluar pas shpërthimit të infektimeve me koronavirus, në kampin e një ekipi garues japonez.

Your browser doesn’t support HTML5

Japonia, e vendosur të mbajë Lojërat Olimpike Verore në pandemi

Së fundmi ka pasur shqetësime në rritje në Japoni se rritja e shkallës së infektimit mund të nxisë një valë të katërt të koronavirusit në këtë shtet.

Përgatiti: Krenare Cubolli