Politikani lituanez dënohet me burg për spiunim për Rusinë

Algirdas Paleckis

Një gjykatë në Lituani dënoi politikanin Algirdas Paleckis me gjashtë vjet burgim, pasi e shpalli fajtor për spiunim për Rusinë.

Gjykata e rrethit Siauliai vendosi gjithashtu që biznesmeni Deimantas Bertauskas, i cili dëshmoi kundër Paleckisit, të mos ndiqet penalisht.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Paleckis dhe një numër i paspecifikuar i shtetasve të tjerë lituanezë kanë mbledhur informacione për inteligjencën ruse, në periudhën kohore midis shkurtit 2017 dhe tetorit 2018.

Paleckis dhe disa shtetas të tjerë lituanezë u arrestuan në dhjetor të vitit 2018 dhe u akuzuan për spiunim për Rusinë - gjë që shkaktoi reagim të ashpër nga Moska.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha atëbotë se arrestimet paraqesin “një veprim tjetër rusofobik” dhe “përmbysje të të drejtave dhe lirive demokratike” në Lituani.

Ajo nuk i shpjegoi arsyet për deklaratat e saj.

Që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisi mbështetjen për separatistët në lindje të Ukrainës, duke rritur shqetësimet në disa ish-republika të tjera sovjetike, gjykatat lituaneze dënuan disa persona për spiunim për Rusinë ose aleaten e saj të ngushtë, Bjellorusinë.

SHIKONI EDHE: Lituania miraton ndalimin masiv të azilkërkuesve nga Bjellorusia