Partitë e vogla kërkojnë zgjedhje me lista të hapura

Fletëvotim në një qendër votimi në Maqedoni të Veriut - Foto ilustruese nga arkivi.

Partitë e vogla parlamentare në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që në zgjedhjet ardhshme parlamentare të aplikohet modeli me lista të hapura në një njësi zgjedhore. Zgjedhjet e rregullta pritet të mbahen në gjysmën e parë të vitit 2024.

Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut zgjidhen 120 deputetë në 6 njësi zgjedhore me nga 20 deputetë përmes sistemit të listave të mbyllura.

Pavle Trajanov kryetar i Lidhjes Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda këtij muaji nga kryetari i Kuvendit, do të kërkojë që në rend dite t’i vendosë ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Ai thotë se me një njësi zgjedhore mundësohet që partitë e vogla të përfaqësohen në Kuvend, pa qenë të detyruara të garojnë në koalicion me partitë më të mëdha. Sipas tij, një mundësi e tillë thyen monopolin e subjekteve më të mëdha politike duke u bërë një zë i fuqishëm i qytetarëve.

“Gjendja në Kuvend është e komplikuar si rrjedhojë e bllokadave të shumta që bëhen nga partitë më të mëdha për interesa të tyre.
Propozimi për Kodin e ri Zgjedhor është në procedurë parlamentare më shumë se dy vite. Faza e parë ka marrë vizë nga Kuvendi në qershor të këtij viti. Tani duhet të vazhdojë faza e dytë, debati i amendamentit.

SHIKONI EDHE: Listat e hapura, mundësi për Parlament më kualitativ e demokratizim të partive

Partitë e mëdha kanë një monopol nëse mbeten gjashtë zona. Në këtë mënyrë partitë më të vogla humbasin nga 100.000 deri në 120.000 vota, që në përkthim do të thotë një numër të caktuar të mandateve që shkojnë në konton e partive më të mëdha”, shpjegon Trajanov.

Ai shton se “nëse zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, asgjë thelbësore nuk ndryshon në Kodin Zgjedhor”.

Për të ndryshuar Kodin Zgjedhor duhet paraprakisht të bien dakord partitë kryesore politike.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) thotë se do t’i mbështesë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, përkatësisht modelin me një njësi zgjedhore me kusht që të vendoset pragu zgjedhor prej 5 për qind.

Nga kjo parti pragun zgjedhor e kanë arsyetuar me stabilitetin politik, përkatësisht me numrin më të vogël të partive në Kuvend.
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, pohon se do të mbështesë idenë për një njësi zgjedhore, por pasi të të miratohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që kanë të bëjnë financimin e partive politike dhe revizionin e mjeteve që shpenzojnë gjatë fushatës zgjedhore.

SHIKONI EDHE: Taktizimet e partive për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Kurse, Lidhja Social Demokrate e cila fitoi dhe pushtetin me premtimin për një njësi zgjedhore, thotë se për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nevojitet konsensus i të gjitha partive politike kryesore.

Formula që paralizon partitë e vogla

Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut zgjidhen sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore, të njohur si “Formula e Dont-it”.

Mbi këtë bazë, numri i përgjithshëm i votave të fituara nga çdo listë përpjesëtohet me 1,2,3,4 dhe 20. Më pas sasitë e fituara të votave maten sipas madhësisë, ndërsa 20 vendet i fitojnë ato lista që kanë fituar më shumë nga votat e nevojshme.

SHIKONI EDHE: Vështirësohet arritja e kompromisit për Kodin Zgjedhor

Kjo e ul mundësinë që në Kuvend të futen partitë më të vogla.
Njohësit e çështjeve politike theksojnë se për përfaqësimin e partive politike ,është modeli Dont-it dhe jo numri i njësive zgjedhore.

“Logjika e demokracisë bazohet në atë që në Kuvend të artikulohen qartë interesat e kategorive të ndryshme të qytetarëve përmes subjekteve të ndryshme. Modeli aktual zgjedhor, gjegjësisht Formula e Dont-it favorizon partitë më të mëdha politike në vend”, thotë për REL-in Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” që ndjek nga afër shumë procese zgjedhore.

Troshanovski thekson se madje për partitë e vogla, më e favorshme do të jetë rritja e njësive zgjedhore për shkak të përqendrimit të votave në rajone të caktuara me kusht që të shmanget Formula e Dont-it.

Lista të hapura për të ngritur cilësinë e debatit në Kuvend

Për të ngritur cilësinë e debatit në Kuvend kërkohet që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partitë politike të garojnë me lista të hapura.

Aktualisht, partitë politike garojnë me lista ët mbyllura ku qytetarët votojnë për listat e partive ku në bazë të një formule matematikore, në Kuvend si deputet zgjidhen ata që janë vendosur në majë të listës.

Nëse aplikohet sistemi i listave të hapura, në atë rast votuesit mund të votojnë për kandidatin që ata mendojnë se do t’i përfaqësojë më së miri interesat e tyre, pa marrë parasysh se në cilin vend të fletëvotimit gjendet ai kandidat.

Në sistemin aktual në Maqedoninë e Veriut me lista të mbyllura, votuesit votojnë për një parti ose koalicion duke mos pasur mundësi ta japin votën e tyre për kandidatin që mendojnë se më së miri do t’i përfaqësojë interesat e tyre.

SHIKONI EDHE: Reforma zgjedhore, partitë politike me qëndrime të kundërta për njësitë

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, konsideron se listat e hapura do të ndikojnë në rritjen e përngjashmërisë së politikanëve kundrejt vardisjes ndaj liderit të partisë që i përkasin.

“Nëse janë qytetarët që marrin peshën më të madhe, pra vendosin se kush do të bartë peshën e proceseve në Kuvend, gjithsesi se zbehet forca e drejtuesve të partive politike. Por, njëkohësisht kjo do të demokratizojë dhe vetë partitë pasi ata do të jenë të interesuar të afrojnë më shumë njerëz që do të jenë intrigues për zgjedhësit. Tani qytetarët votojnë partinë dhe jo deputetët”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut janë aplikuar disa modele zgjedhore gjatë zgjedhjes së deputetëve të Kuvendit.

Zgjedhja e deputetëve të dy përbërjeve të para parlamentare në vitin 1990 dhe 1994 është bërë sipas modelit mazhoritar, pra, numri i njësive zgjedhore ishte i barabartë numrin e vendeve deputetëve në Kuvend.

Deputetët e përbërjes së tretë parlamentare u zgjodhën sipas sistemit të kombinuar mazhoritar me proporcional, model ky që u zbatua deri në vitin 2002.

Që nga viti 2002, 120 deputetët e në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut zgjidhen përmes modelit proporcional me gjashtë njësi zgjedhore ku zbatohet Formula e Dont-it.