Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.
“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.
Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në veriLista Serbe thekson se vendimi për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje është marrë në përputhje me “pikëpamjet e qytetarëve që ajo i përfaqëson me vite”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.
Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.
Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës".