Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kërkoi nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin dialogun me Kosovën, derisa, siç tha ai, “të tërhiqen të gjitha forcat speciale”.
“I kërkojmë presidentit [të Serbisë, Aleksandar Vuçiq] dhe Qeverisë të ndërpresë ose të pezullojë çdo lloj dialogu deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale” të Policisë së Kosovës, tha Rakiq gjatë një konference për media më 27 maj.
Dialogu për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen një ditë pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale për të nisur mandatin e tyre.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave komunale, teksa në Zveçan u raportua edhe për të shtëna me armë.
Disa makina policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.
Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, kërkoi po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, dhe zyrtarë të kësaj partie vlerësuan se kryetarët e rinj shqiptarë “janë të paligjshëm”.
Gjatë konferencës për media, Rakiq përsëriti qëndrimin e partisë së tij se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të plotësohen kushtet e paraqitura më herët nga ta, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqjen e njësive speciale nga veriu.
Pas konferencës së Listës Serbe, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kërkesa e Listës Serbe do të shqyrtohet.
“Duhet kohë për të pasur një diskutim serioz për këtë çështje, edhe pse është e neveritshme të bisedosh me ata që e dënojnë dhunën e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, dhe atij nuk i intereson dhe vazhdon politikën e terrorit me qëllim të spastrimit etnik të serbëve të Kosovës”, tha Vuçeviq gjatë mbledhjes së partisë serbe në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe.
Ai po ashtu u bëri thirrje serbëve në Kosovë që të protestojnë, siç u shpreh, në mënyrë paqësore.
SHIKONI EDHE: Situatë e qetë në veri, policia ruan ndërtesat komunaleMë 27 maj, gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportuan se policia është duke ruajtur ndërtesat e Komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, teksa situata raportohet se qetë.
Pas tensioneve në veri, Serbia ngriti në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj të armatosura.
Faktori ndërkombëtar dënoi veprimet e Prishtinës dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës të ulë tensionet.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin për hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj. Ai tha se kupton shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.
SHIKONI EDHE: Kurti: I kuptojmë shqetësimet e partnerëve, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeveNë katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.
Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.