Lista Serbe me kërkesë të re për tërheqjen e protestuesve

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe nënkryetari i kësaj partie, Igor Simiq, duke biseduar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it. Zveçan, 29 maj 2023.

Pasditen e 29 majit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paraqitur një kërkesë të re, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.

Pas bisedës me një kolonel amerikan të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Igor Simiq dhe Dragisha Milloviq, nga Lista Serbe kërkuan që njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të zëvendësohen me trupat e KFOR-it, në mënyrë që këta të fundit të ruajnë ndërtesat komunale.

"Mund të them se ka qenë vërtet një bisedë korrekte, se koloneli e kupton situatën në të cilën jemi të gjithë. Kërkesa jonë ka qenë që njësitë speciale të tërhiqen nga ndërtesa e komunës, të largohen nga ndërtesa e komunës dhe sigurinë ta marrë KFOR-i. Ai [koloneli] po flet tani me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për kërkesën tonë", tha Milloviq para të të tubuarve.

"Presim përgjigje se çfarë do të na thotë koloneli amerikan i KFOR-it", shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ishin dy kërkesa që ua kishte përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen.

"Kërkesat tona janë që sherifët - siç e quajnë veten - të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t'i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit", tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.

Më 29 maj, serbët po protestojnë para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Policia e Kosovës, por edhe trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë shtuar prezencën e tyre në veri.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, më herët gjatë së hënës deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai.

Pas rritjes së tensioneve në veri më 26 maj, Lista Serbe ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria serbe që të ndërprenë apo pezullojnë dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

SHIKONI EDHE: Lista Serbe kërkon ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj të shkonin në zyrat e tyre. Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me zyrtarët policorë.

Veprimet e Prishtinës janë dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar, që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga “masat e dhunshme”.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 maj, pasi krerët e mëhershëm komunalë nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.