Të gjithë të akuzuarit në rastin e “grushtshtetit” në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi në vitin 2016, u shpallën të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
Vendimin e mori një trup gjykues prej tre anëtarësh i gjyqtarit Zoran Radoviq.
“Nuk kishte asnjë provë se të akuzuarit ishin fajtorë për veprat për të cilat ngarkoheshin, kështu që ata lirohen nga akuzat”, tha Radoviq.
Vendimi liroi shtetasit rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të akuzuar për organizimin dhe financimin e ndryshimit të dhunshëm të Qeverisë në Mal të Zi.
Gjithashtu u liruan ish-udhëheqësit e Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq - kryetar aktual i Kuvendit të Malit të Zi - dhe deputeti Millan Knezheviq, pastaj shoferi Mihajllo Çagjenoviq, gjenerali në pension i xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiq, si dhe shtatë shtetas të tjerë serbë, të arrestuar në ditën e zgjedhjeve më 2016.
Gjykatësi Radoviq tha se që dikush të shpallet fajtor, duhet të ketë fakte të sigurta dhe "të tilla nuk ka".
"Armë nuk kanë hyrë kurrë në Mal të Zi. Pajisjet që është dashur të përdoren për të hyrë me forcë në Kuvend, nuk janë futur në Mal të Zi. Dhe, pretendimi se njësitë speciale është dashur të qëllojnë në policinë malazeze, nuk është vërtetuar", tha ai.
Në shpalljen e aktgjykimit nuk morën pjesë as prokurorët specialë dhe as të akuzuarit, por vetëm avokatët mbrojtës.
Prokuroria Speciale pritet ta apelojë vendimin.
Ky është vendimi i dytë i Gjykatës së Lartë në një proces që zgjat që shtatë vjet, i bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkonte të pandehurit për tentativë terroriste për të rrëzuar Qeverinë me dhunë, në vitin 2016.
Të gjithë të akuzuarit u dënuan në shkallë të parë në vitin 2019 me gjithsej 70 vjet burg.
Dy vjet më vonë, Gjykata e Apelit e rrëzoi atë vendim dhe urdhëroi gjykim të ri.
Çfarë thoshte aktakuza e Prokurorisë Speciale?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, shtetasit rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, ishin organizatorët dhe financuesit e tentativës për rrëzimin me dhunë të Qeverisë në Mal të Zi, në ditën e zgjedhjeve, më 16 tetor të vitit 2016.
Të gjithë u akuzuan se kanë tentuar t'i sulmojnë me armë qytetarët e mbledhur para Kuvendit të Malit të Zi dhe policinë, si dhe të kryejnë sulme të gjera terroriste në njësitë speciale të policisë.
U akuzuan, po ashtu, se kanë synuar të marrin Kuvendin, të shpallin fitoren e Frontit Demokratik, si dhe të arrestojnë ose likuidojnë kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Asnjë nga të akuzuarit nuk e pranoi fajësinë dhe ata mohuan se njiheshin mes vete.
Ish-udhëheqësi i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq, është kryetar aktual i Kuvendit të Malit të Zi, ndërsa Millan Knezheviq është anëtar i shumicës qeverisëse.
Ata e akuzuan Qeverinë e asaj kohe, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit, se po kryente hakmarrje politike kundër Frontit Demokratik - atëkohë në opozitë - përmes Prokurorisë Speciale.
Partia e Gjukanoviqit e humbi pushtetin në vitin 2020. Ndërkohë, kryeprokurori special, Millivoje Katniq, i cili përfaqësonte aktakuzën në këtë gjykim, u zëvendësua.
Megjithatë, Prokuroria e re Speciale, e udhëhequr nga Vlladimir Novoviq, nuk e ndryshoi dhe as s'e hodhi poshtë aktakuzën e Katniqit.