Qeveria tërheq nga miratimi projektligjin për rajonin e Ohrit

Liqeni i Ohrit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka tërhequr draft-ligjin e propozuar për menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit dhe njëhërësh u rekomandoi komunave të rajonit të shpallin moratorium për aktivitetet ndërtimore deri në miratimin e Planit për menaxhim me trashëgiminë natyrore dhe kulturore për shkak të degradimit urbanistik.

Organizatat joqeveritare thonë se nuk duhet të vonohet miratimi i këtij ligji sepse kjo në një formë vonon dhe realizimin e rekomandimeve të UNESCO-s si kusht që Ohri të mos e humbas statusin e qytetit që është nën mbrojtjen e UNESCO-s .

SHIKONI EDHE: Ndërtimet ilegale rrezikojnë statusin e Ohrit si qytet i mbrojtur nga UNESCO

Agron Biba, aktivist për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, për Radion Evropa e Lirë tha se çdo vlerë kulturore dhe natyrore është nën rrezik përderisa Maqedonia e Veriut mbetet jashtë familjes evropiane, përkatësisht respektimit të ligjeve.

Ai thotë se edhe përkundër rekomandimit të Qeverisë që komunat në rajonin e Ohrit të shpallin moratorium për aktivitetet ndërtimore në teren, realiteti flet ndryshe.

“Neve kemi para-anëtarësimin në NATO si numër një dhe marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE si dy çështje shumë të rëndësishme për shoqërinë që të mund të ecë ajo para".

"Gjithçka tjetër duket se po ngec, kështu që para se të bëjmë këta dy gjëra si shoqëri, si shtet, të gjitha gjërat tjera mbeten dytësore, përfshi këtu edhe problemet që kemi në rajonin e Ohrit me ndërtimet ilegale”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Biba.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pos tërheqjes së ligjit për rregullimin e rajonit të Ohrit njëherësh u ka rekomanduar komunave Ohër dhe Strugë, të cilat janë pjesë e rajonit të Ohrit që në një afat prej 10 ditësh të përpilojnë një plan veprimi me një afat kohor për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s për të gjitha obligimet që janë kompetencë e komunave.

Përderisa nga organizata joqeveritare FRONT 21/42 thonë se për momentin nuk munden të komentojnë ligjin për rregullimin e rajonit të Ohrit përderisa nuk e shohin versionin final që qeveria do të nis në Parlament.

“Atëherë do të jetë e qartë arsyeja se pse ky ligj është tërhequr. Çdo koment në këtë fazë do të paraqesë vetëm spekulim”, kanë thekuar nga organizata Front 21/42.

Aleksandra Bujarovska nga organizata joqeveritare për mbrojtjen e ambientit “Front 21/42” vlerëson se autoritet e shtetit duhet të veprojnë duke ngrirë të gjitha aktivitetet ndërtimore në bazë të ligjeve ekzistuese dhe të mos pritet Ligji i ri për rajonin e Ohrit sepse humbja e statusit, sipas saj, do të paraqes kosto të lartë.

Bujarovska thotë se kur ka vullnet politik, shembulli më i mirë për bllokimin e aktiviteteve ndërtimore është komuna qendër e Shkupit e cila vendosi moratorium për ndërtimet, por një vullnet i tillë duket se mungon për komunën e Ohrit edhe kundër ndezjes së dritës së kuqe nga UNESKO

“Shohim se nuk ka vullnet politik për moratorium të ndërtimeve në rajonin e Ohrit, por duket qartë se ka vullnet që të krijohet një fotografi rozë apo iluzion se ndërmirren masa, por në fakt në teren kemi një realitet që për çdo ditë shohim shkatërrimin e këtij rajoni përmes ndërtimeve ilegale”, thotë Bujarovska.

Qyteti i Ohrit, foto nga arkivi

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se nëse autoritetet komunale nuk kanë kapacitet që të veprojnë në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s që të ndërpriten aktivitet ndërtimore, atëherë kompetencat do t'i takojnë pushtetit qendror.

“Nëse komunat nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, atëherë ata mund të kërkojnë që kompetencat t'i marrin institucionet përkatëse të pushtetit qendror. Por, theksojmë se këtë mund ta bëjmë vetëm nëse këtë e kërkojnë komunat përkatësisht kjo kërkesë vjen nga këshillat e komunave” kanë njoftuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Përderisa, nga Komuna e Ohrit theksojnë se po ndërmarrin të gjitha masat për realizimin e aktiviteteve në përputhje me rekomandimet e qeverisë për ndërprerjen e aktiviteteve ndërtimore.

Aktivistët për mbrojtjen e ambientit jetësorë, thonë se përderisa pushteti qendror dhe ai vendor luajnë lojën e ping-pongut duke hedhur përgjegjësinë nga njëra anë në tjetrën, në teren vazhdojnë aktivitetet ndërtimore.

Ndryshe, UNESCO në mbledhjen e saj të 43-të në Baku, i ka dhënë shansin e fundit Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, si pjesë e trashëgimisë kulturore, për të plotësuar deri në shkurt të vitit 2020, 19 rekomandime ku në fokus është ndërprerja e degradimit urbanistik në rajonin e Ohrit.