Linjat e qarkullimit të trenave të mbyllura deri në rishikimin e buxhetit

Ilustrim

Hekurudhat e Kosovës nuk do të mund të vënë në qarkullim linjat e ndërprera të trenave pa u bërë rishikimi i buxhetit për vitin 2017, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Por, rishikimi i buxhetit, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi nuk mund të bëhet pa konstituimin e institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Qarkullimi i trenave në linjën e Pejës dhe atë të Hanit të Elezit është ndërprerë në fillim të muajit gusht për shkak të, siç thuhet, mungesës së mjeteve financiare.

E vetmja linjë hekurudhore që është në operim, në transportin e udhëtarëve, mbetet ajo Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas.

Ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nga subvencionet kishte ndarë mjete për hekurudhat e Kosovës, respektivisht ndërmarrjen “Trainkos”, në vlerë prej 1.34 milion euro.

Qeveria i ka subvencionuar hekurudhat e Kosovë. Gjatë qershorit është menduar të bëhet rishikimi i buxhetit dhe në rishikim të shihen se sa mjete duhet të jepen për hekurudhat në mënyrë që të funksionojnë si duhet, por duke pasur parasysh gjendjen politike dhe mungesën e formimit të Qeverisë, edhe rishikimi i buxhetit nuk është bërë, andaj këto mjete nuk mund t’i mbulojë askush”, thekson Muharremi.

Për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit të shtetit, autoritetet e Kosovës patën bërë të ditur se janë përballur me vështirësi në kryerjen e shumë obligimeve.

Sidoqoftë, bordi i drejtorëve dhe menaxhmentit i “Infrakos”-it (që merret me menaxhimin e hekurudhave), kanë kërkuar nga institucionet kompetente shtetërore pagesën e diferencës.

Pagesa e kësaj diference, siç thonë përfaqësuesit e ‘”Infrakos”-it, është e përcaktuar me Ligjin mbi hekurudhat e Kosovës, ku në vit kap vlerën rreth 1.8 milion euro.

Por, sipas zyrtarëve të “Infrakos”-it edhe përkundër kërkesave, nuk kanë marrë asnjëherë pagesën e duhur të paraparë me ligj.

Vlora Jahaj, zyrtare për informim në “Infrakos”, thotë se në mënyrë që të mundësohet funksionimi i ndërmarrjes dhe të mos krijohen probleme sociale me punonjësit, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin veprime urgjente në mbulimin e obligimeve ligjore.

Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti konstatojnë se “Infrakos” ka shtjerrë të gjitha mundësit financiare që varen nga kjo kompani dhe nuk mund të bëjë asgjë në tejkalimin e situatës ekzistuese pa kryerjen e obligimeve ligjore nga Qeveria, siç parashihet me Ligjin mbi hekurudhat”, thekson Jahaj.

Sidoqoftë, ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi konsideron se hekurudhat kanë mjete të funksionojnë deri në fund të muajit shtator.

Hekurudhat e Kosovës deri në fund të gushtit edhe në shtator i kanë mjetet që të jenë në funksion për arsye se i kanë edhe mbi 245 mijë euro në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që ata i bëjnë pagesat për derivate dhe mund të punojnë, dhe shpresojë që deri në atë kohë të bëhet ndonjë zgjidhje dhe t’i dalim përballë kërkesave dhe ata të vazhdojnë punën”, thekson ai.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë.

Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve, që nga ekspertë të fushës janë konsideruar të vjetruara.

Kosova tani më është përfshirë në projektet për modernizimin e hekurudhës, investime këto që hyjnë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.