Ligjvënësit në Gjeorgji miratojnë ligjin kontrovers për "agjentë të huaj"

Parlamenti i Gjeorgjisë.

Ligjvënësit në Gjeorgji e kanë miratuar projektligjin kontrovers për “agjentët e huaj” në leximin e tretë dhe të fundit.

Përgjatë seancës, 84 ligjvënës kanë votuar për ndërsa 30 të tjerë kanë qenë kundër dokumentit të shndërruar në ligj.

Për disa javë rresht, dhjetëra qindra gjeorgjianë kanë protestuar kundër projektligjit, i cili është çuar përpara prej partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

Your browser doesn’t support HTML5

Përleshje e protesta teksa ligji i kontestueshëm miratohet në Gjeorgji

Protestat janë shtypur disa herë në mënyrë të dhunshme me topa uja, gaz lotsjellës dhe plumba gome, derisa edhe protestuesit janë sulmuar nga bandat apo plaçkitësit në orët e vona të natës.

Ligji do t’iu kërkojë organizatave që pranojnë më shumë se 20 për qind të fondeve prej jashtë, që të regjistrohen si agjentë me ndikim të huaj.

Në rast të mosregjistrimit parashihet mbyllja e entiteteve si dhe gjoba të ashpra.

SHIKONI EDHE: Gjenerata Z në krye të protestave në rrugët e Tbilisit

Kundërshtarët e konsiderojnë dokumentin si “ligj rus”, duke e krahasuar me legjislacionin rus që përdoret për t’i shënjestruar kritikët e presidentit rus, Vladimir Putin.

Megjithatë Qeveria e Gjeorgjisë ka thënë se projektligji është i domosdoshëm për të promovuar transparencë, për t'i luftuar “vlerat pseudo-liberale” të promovuara prej të huajve, si dhe për të ruajtur sovranitetin e shtetit.

SHIKONI EDHE: Grupet për të drejtat e njeriut i bëjnë thirrje Gjeorgjisë të mbrojë lirinë e shprehjes

Ligji do të mund të përballet me veton e presidentes së Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili.

Megjithatë, parlamenti do të mund ta hedhë poshtë atë vendim përmes një votimi shtesë.