Ligji për përdorimin e gjuhëve ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin në Maqedoni, e madje edhe disa incidente, si sulme ndaj disa deputetëve të LSDM-së ndërsa në shumë objekte janë shkruar grafike për përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve. Polemika të ashpra po zhvillohen edhe në rrjetet sociale mes atyre që kundërshtojnë Ligji për gjuhët dhe të tjerëve që këtë ligj e vlerësojnë si të mirë për të ardhmen e vendit.
Por, njohësit e çështjeve ndëretnike nuk besojnë në ndonjë përshkallëzim të gjendjes.
“Incidente të këtilla ne kemi pasur edhe më parë. Incidente kemi pasur edhe mes vetë partnerëve të koalicionit qeveritar, nëse ju kujtohen rastet në Kalanë e Shkupit, në lagjen Gjorce Petrove, e të tjera. Kjo që ndodhë tani vlerësoj se është reagim i atyre që ndjehen të vetmuar, pasi tani kanë humbur pushtetit dhe po përballen me procedura gjyqësore, andaj edhe e kanë vështirë që të dorëzohen andaj edhe nxisin incidente të ndryshme. Mendoj se kjo nuk do të ketë pasoja në planin e raporteve ndëretnike, pasi viteve të fundit ato janë përmirësuar edhe pse mbeten ende të brishta. Këtë tentojnë ta shfrytëzojnë politikanët, por besoj se nuk do të kenë sukses”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.
Këtyre akteve i kanë paraprirë incidentet në Kuvend në ditën e miratimit të Ligjit nga VMRO-ja opozitare, e cila me forcë tentoi të pengonte aktin e votimit për shkak të refuzimit të shumicës parlamentare për shqyrtimin e mbi 35 mijë amendamenteve të opozitës me të cilët ajo synonte bllokimin e ligjit.
Njohësit e çështjeve politike thotë se VMRO-ja përmes veprimeve të tilla synon të tërheqë vëmendjen nga proceset gjyqësore që po zhvillohen ndaj drejtuesve të saj, por gjithashtu vlerësojnë se qasja e saj më shumë është e afërt me politikat e lindjes sesa me ato evropiane.
“Për palën shqiptare ligji është një akt i cili i çon para marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që do të thotë se shqiptarët fillojnë ta ndiejnë Maqedoninë edhe si shtet të tyrin. Ndërkohë, për njërën pjesë të palës maqedonase, e cila është e afërt me Beogradin dhe Moskën, siç është fjala për VMRO-në e (Nikolla) Gruevskit, ky ligj është i papranueshëm. Ky ligj nuk besoj se do të krijojë protesta, por mendoj se Gruevskit dhe Mijallkovit i afrohet fundi, dhe mendoj se arrestimi i tyre dhe i disa bashkëpunëtorëve shqiptarë, të cilët terrorizuan qytetarët e Maqedonisë, duhet të përfundojnë pas grilave, pasi mendoj se vetëm kështu drejtësia mund të vendoset në vend dhe ata të cilët gjatë këtyre viteve kanë abuzuar me shtetin dhe pushtetin duhet të përfundojnë në burg”, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike.
Analisti Mitko Gaxhovski thotë se fuqizimi i Ligjit për gjuhët nuk do të kalojë edhe aq lehtë dhe kjo gjithsesi se do të shkaktojë edhe reagime tjera, por jo në masën e ndonjë përshkallëzimi të mundshëm. Ai thotë se opinion e ka të qartë se edhe VMRO-ja kur ishte në pushtet me BDI-në miratonte zgjidhje ligjore që kundërshtoheshin LSDM-ja, e cila në atë kohë ishte në opozitë.
“Vlerësoj se sjella e VMRO-së është dyfytyrëshe, pasi kur ishin në koalicion me BDI-në i linte duart e lira partisë shqiptare, që tani është në pushtet me LSDM-në, që të kalonte zgjidhje ligjore që kundërshtoheshin nga opozita e atëhershme. Këtu mund të përmendi rastet e Hagës të cilët u amnistuan nga VMRO-ja përkundër reagimeve të shumta në opinion. Pra, nëse bëjmë një paralele, mes atij rasti dhe këtij për gjuhën, mund të konstatojmë se reagimin si qëllim të vetëm kanë fitimin e pikëve politike”,thotë Gaxhovski.
Ligji ndërkohë ende nuk është dekretuar nga presidenti Gjorge Ivanov me arsyetimin se është antikushtetues dhe si i tillë nxit tensione ndëretnike, por partitë në pushtet ia kanë rikujtuar kreut të shtetit se me mosdekretimin e ligjit bartë përgjegjësi, pasi veprimi i tij është në kundërshtimin me nenin 75 të Kushtetutës i cili e obligon dekretimin e ligjeve nëse pas refuzimit të parë i njëjti sërish votohet me shumicë votash në Kuvend.
Ligji i miratuar avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivel lokal dhe qendror, si dhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve.