Kushtëzimi i votës për Ligjin për Prokurorinë Publike me amnisti

Ndërtesa e Prokurorisë Publike në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Propozim-ligji për Prokurorinë Publike ka hyrë në procedurë parlamentare, pasi të dielën Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dha mbështetje këtij legjislacioni.

Shumica parlamentare pretendon se ka siguruar dy të tretat e votave të nevojshme për ta miratuar Ligjin për Prokurorinë Publike gjatë kësaj jave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, para se ky institucion të shpërndahet.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet të shpërndahet më së voni deri më 16 shkurt, në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare – që janë caktuar për 12 prill – të mbahen.

Ky propozim-ligj është dërguar në kuvend, pasi partitë në pushtet po llogarisin në votat e tetë deputetëve të pavarur, që dolën nga VMRO-DPMNE, të cilët, në këmbim të mbështetjes së këtij ligji, kanë kërkuar që të ketë një dispozitë ligjore, ku të thuhet se Prokuroria nuk do të mund të ngrejë akuza mbi bazën e dëshmive që burojnë nga përgjimet e paligjshme.

Tetë deputetët e pavarur, njëherësh kanë kërkuar abrogimin e procedurës gjyqësore mbi rastet e ngritura nga Specialja, të njohur si “Talir 1” dhe “Talir 2”, ku të akuzuar janë zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, të cilët dyshohen për financim joligjor të partisë së tyre.

SHIKONI EDHE: “Beteja” për 80 votat për miratimin e Ligjit të Prokurorisë Publike

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se propozim-ligji për Prokurorinë Publike, përfshin zgjidhjet që sigurojnë funksionimin e parimit të sundimit të së drejtës në pajtueshmëri me vlerat evropiane, me kushte të caktuara për korrektësi dhe barazi të palëve që janë të përfshirë në procedura gjyqësore.

Lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev ka thënë se projektligji në fjalë “siguron drejtësi pa amnisti të fshehur dhe konfirmon të ardhmen evropiane për të gjithë qytetarët”.

Por, lideri i opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski i ka bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë Ligjin për Prokurorinë Publike, pasi sipas tij, kjo i garanton amnisti Zoran Zaevit dhe bashkëpartiakëve të tij.

“Propozim-ligji për Prokurorinë Publike, që prej sot është në procedurë parlamentare është ligj për amnisti të Zoran Zaevit dhe bashkëpunëtorëve të tij, amnisti për njerëzit që kanë punuar me të. Ligjet duhet të vlejnë njësojë për të gjithë. Përmes këtij propozime shihet qartë se kërkohet amnisti për Zaevin për ‘Titanik 1’, ‘Titanik 2’ dhe raste të tjera gjyqësore”, ka theksuar Mickoski.

Shumica parlamentare, për të kaluar këtë legjislacion po llogaritë edhe në votat e dy partive shqiptare në opozitë, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, por nga këto parti thonë se nuk do ta mbështesin këtë propozim-ligj, pasi i njëjti ka pësuar ndryshime, që prej dakordimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe hartuesve të ligjit. Sipas tyre, këto ndryshime synojnë amnistinë e përgjithshme për të gjithë ata që janë të përfshirë në raste të krimit dhe korrupsionit.

“Për fat të keq, nga ajo që po shohim, versioni i fundit ka një ndryshim drastik në nenin 110. Me këtë nen sugjerohet amnisti e përgjithshme për të gjithë ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Qëndrimet e Aleancës për Shqiptarët lidhur me këtë çështje kanë qenë parimore dhe ne nuk do të mbështesim asnjë ligj që ka për qëllim amnistinë e kriminelëve dhe atyre që janë të korruptuar . Ky nen nuk ka qenë kështu kur e kemi diskutuar me Ministrinë e Drejtësisë”, ka deklaruar deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashiti.

Edhe deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, bëri të ditur se nuk do ta mbështesë Ligjin për Prokurorinë Publike, për shkak të ndryshimeve që ka pësuar, e që sipas tij, synon amnisti për grupe të caktuara politike.

“Ky version po bëhet për amnistim të politikanëve të lartë, të cilët realisht janë kapur në krim dhe tani duan që të amnistohen”, ka theksuar Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

SHIKONI EDHE: Beteja e partive për pozicione brenda Ligjit për Prokurorinë

Njohësit e çështjeve politike thonë se qeveria aktuale po ngutet që të miratojë Ligjin për Prokurorinë Publike, me qëllim që të eliminojë të gjitha pengesat sa i përket caktimit të datës për nisjes e negociatave për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian, megjithëse shtojnë se mungesa e konsensusit në spektrin politik, do të krijojë mundësi që të shfaqen pengesa gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji.

“Ajo që tani shihet është se qeveria aktuale shpejton që ta sjellë këtë ligj, me qëllim që në mars apo deri në muajin maj, kur duhet të mbahet samiti i radhës i BE-së në Zagreb, vendi të marrë datën për nisjen e negociatave dhe të përmbushë të gjitha obligimet që priten nga Maqedonia e Veriut dhe kështu të eliminohen të gjitha pengesat që mund të çojnë në një prolongim të radhës, për caktimin e nisjes së negociatave me BE-në”.

“Në planin e jashtëm, në aspektin e integrimeve, miratimi i këtij ligjo do të jetë i notuar mirë, por në plan të brendshëm, mungesa e konsensusit për një ligj kaq të rëndësishëm, nuk do të sjellë stabilitet politikë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për punën e Prokurorisë Publike, parashihet që të inkorporohet parimi i Badinterit në Prokurorinë për krim të organizuar. Gjithashtu, në këtë ligj është paraparë edhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha prokuroritë.