Miratimi i ligjit për Prokurorinë, i cili jep më shumë garanci për sundimin e drejtësisë, është i domosdoshëm për të fituar datën në tetor, ka deklaruar Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ai, me këtë rast, ka porositur autoritete maqedonase që të fokusohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa opozitës i ka thënë se askush nuk guxon të shpresojë në amnisti përmes vjetrimit të lëndëve që i ka proceduar Prokuroria Speciale Publike.
“Kam ardhur në Shkup për të diskutuar posaçërisht për sundimin e drejtësisë. Të gjitha forcat politike duhet të kenë për qëllim hapin e madh që duhet të marrë vendi në tetor. Puna e Prokurorisë Speciale duhet të vazhdojë. Vendet anëtare po ndjekin me kujdes zhvillimet që kanë të bëjnë me sundimin e drejtësisë. Kjo, mbi gjitha është e rëndësishme për qytetarët e vendit tuaj”, ka theksuar komisionari Johannes Hahn.
SHIKONI EDHE: Nisja e bisedimeve me BE-në, peng i Prokurorisë SpecialeDuke komentuar propozim-ligjin për Prokurorinë Themelore Publike, me të cilën përcaktohet dhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike tha se “është me shumë rëndësi se është ruajtur pavarësia e Prokurorisë Speciale Publike, në brendësi të Prokurorisë Themelore Publike”.
Hahn ka theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të demonstrojë zero tolerancë për korrupsionin, ndërsa si vijë të kuqe ka fokusuar çështjen e amnistisë.
“Asnjë nuk guxon të amnistohet për shkak të pamundësisë për të plotësuar afatet e caktuara. Ajo duhet të garantohet. Ne ashtu e shohim sundimin e së drejtës”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev , është shprehur i sigurt se në tetor, pas 15 vjetësh, Maqedonia e Veriut si shtet do të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në.
Zaev, duke iu referuar kërkesës së Brukselit për Prokurorinë Publike, ka thënë se pret të arrijë konsensus politik deri në fund të këtij muaji lidhur ligjin për Prokurorinë Publike, i cili duhet të rregullojë dhe statusin e Prokurorisë Speciale dhe pas ujdisë me opozitën Zaev pret që ligji në fjalë të miratohet në institucionin ligjdhënës në shator.
SHIKONI EDHE: Polemika e përplasje për Ligjin për Prokurorinë PublikeKryeministri Zaev tha se zhvillimet e fundit rreth aferës me rastin shantazhit që njihet si “reket”, paraqesin dëshmi për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit.
“Porosia është e qartë se askush nuk mund të jetë i privilegjuar, askush nuk do të amnistohet , të gjithë janë të barabartë para ligjit, prandaj e inkurajoj Prokurorinë Publike që të vazhdojë dhe sa më parë të ndriçohet rasti i njohur për opinionin si reket pavarësisht se deri ku do të arrihet dhe cilët individë mund të dalin se janë të përfshirë”, ka theksuar Zaev.
Eurokomisionari Johannes Hahn, është takuar dhe me liderin e VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, me ç`rast ky i fundit ka shprehur brengosjen e tij për mungesën e vullnetit të Qeverisë në menaxhimin e krimit, skandaleve dhe korrupsionit të lartë që është i pranishëm në instancat më të larta të pushtetit.
“Skandalet serioze po rrënojnë integritetin e vendit dhe po zbehin shtetin e së drejtës duke kërcënuar seriozisht ardhmërinë evropiane”, është shprehur Mickoski gjatë takimit me komisionarin Hahn.
Hahn është takuar dhe me liderin e partisë shqiptare në pushtet, ku në fokus të bisedës gjithashtu ishte çështja e Prokurorisë Speciale.