Mosefikasiteti i institucioneve pamundëson zbatimin e Ligjit për shqipen

Fotografi ilustruese.

Ligji për përdorimin e gjuhëve vazhdon të mos përfillet nga institucionet dhe ndërmarrjet publike, të cilat gjuhën shqipe vazhdojnë ta përdorin me gabime të shumta, si gjuhësore ashtu edhe përmbajtjesore. Rasti i fundit është me ndërmarrjen e transportit publik në Shkup, e cila disa nga udhëzimet dygjuhëshe si dhe biletat për pasagjerët, i ka publikuar me gabime të shumta. Edhe ndërmarrja e ujit, përveç emrit të saj në dy gjuhë, të gjitha të dhënat tjera në faturat e konsumatorëve i ka vetëm se në maqedonisht.

Gabimet janë regjistruar edhe në disa nga tabelat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me emrin e ri të shtetit, në të cilat vendbanimet e stacioneve policore janë me gabime në pjesën që ka të bëjë me gjuhën shqipe.

SHIKONI EDHE: Pendarovski: Ligji për gjuhën shqipe është kushtetues

Nga Agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe thonë se gabimet e tilla janë pasojë e moskonsultimit të saj nga institucionet dhe ndërmarrjet publike. Drejtori i agjencisë, Ylber Sela thotë se me shkrim i ka informuar të gjitha organet shtetërore se agjencia është në dispozicion të tyre për çdo përkthim që kanë nevojë.

“Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për përkthime të formularëve, të mbishkrimeve, vulave, memorandumeve, që t’i dërgojnë tek agjencia, qoftë përmes postës, formës elektronike apo edhe t’i sjellin direkt tek ne dhe ekipi të cilin e udhëheq brenda një afati shumë të shkurtër do t’i përkthejmë. Por, nëse institucionet kanë bërë vet përkthimin apo e kanë lekturuar, atëherë përgjegjësia bie mbi këtë institucione”, thotë Sela.

Gabimet gjuhësore janë shpeshtuar edhe në mungesë të Inspektoratit për zbatimin e gjuhës shqipe, organ ky që duhet të kontrollojë të gjitha institucionet që nuk zbatojnë Ligjin për gjuhën. Përveç drejtorit, inspektorati nuk ka ende asnjë të punësuar. Konkursi i fundit për pranimin e shtatë inspektorëve nuk do të përfundojë para zgjedhjeve të 12 prillit, por edhe më pas kësaj date, kuadri nuk do të jetë gati për punë pasi duhet t’i nënshtrohet një trajnimi nëntëmujor.

“Patjetër që duhet të ndjekin trajnimet dhe pasi vetëm pasi të përfundojnë këto trajnime, ata do të jenë të licencuar dhe atëherë do të dalin të bëjnë mbikëqyrjen inspektuese në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut”, thekson drejtori, Fatmir Iseni.

SHIKONI EDHE: Zaev: Do ta rishikojmë Ligjin për gjuhën shqipe

Në bazë të Ligjit për gjuhët, për çdo shkelje apo mos respektim të ligjit parashihet edhe gjoba në para, si për institucionin ashtu edhe për drejtuesin e saj.

Përveç me gabime gjuhësore, zbatimi i Ligjit për gjuhët po hasë në pengesë edhe për shkak të mungesës të fondeve, si në rastin e uniformave në polici, shëndetësi dhe shërbimin e zjarrfikësve.

“Uniformat e punonjësve të policisë, të shëndetësisë, të zjarrfikësve në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind të qytetarëve të Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj”, thuhet në Ligjin për gjuhët.

Në institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë zëvendësuar me ato dygjuhëshe, ndërsa në qeveri dhe kuvend, ministrat shqiptarë, deputetët si dhe kryetari i kuvendit, përdorin gjuhën shqipe ndërsa dokumentet publikohen në dy gjuhë.

Ligjit për zbatimin e gjuhëve ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019, por ai mund të pësojë ndryshime, bazuar në deklaratat e zyrtarëve, pasi Komisioni i Venecias, kërkoi që pjesë të ligjit duhet të rishikohet, në veçanti ato që parashikojnë zbatimin e dygjuhësisë në procedurat gjyqësore.