Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë konsideron se me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për shërbime audio-vizuale mundësohet krijimi i kushteve më të mira për punë për transmetuesit në Maqedoni.
Miratimi i Ligjit që rregullon punën e mediave vjen pas ngecjeve të gjata dhe përplasjeve mes pushtetit dhe opozitës.
Për të kaluar ligji iu vendos shenja evropiane.
SHIKONI EDHE: Maqedonia “në hall” me lajmet e rremeMinistri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski ka sqaruar se zbatimi i tij do të fillojë menjëherë në janar kurse deri nga mesi i vitit të ardhshëm pritet të jenë emëruar edhe anëtarët e ri të Agjencisë së Mediave dhe Këshillit Programor të shërbimit publik përkatësisht Radio Televizionit të Maqedonisë.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë vlerëson se modeli i ri i zgjedhjes së organeve menaxhuese dhe sistemi i financimit të RTVM-së dhe rregullatorit medial do të ulë ndikimin politik ndaj institucioneve kyçe në sektorin medial dhe do të kontribuojë në pavarësimin dhe profesionalizimin e tyre më të madh.
Në këtë drejtim, Sefer Tahiri ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universiteti e Evropës Juglindore në Tetovë për Radion Evropa e Lirë thotë se ndryshimet ligjore paraqesin një bazament të mirë për rregullimin e eterit mediatik , përkatësisht që mediat të frymojnë më lirshëm, por vetëm nëse arrin të zbatohet në praktikë.
SHIKONI EDHE: Maqedonia ende pa reforma në media“Vlerësoj se më e rëndësishme sesa miratimi i ligit si normë nga Kuvendi është vullneti politik për zbatimin e të njëjtit apo ajo sa partitë politike do të jenë në gjendje sidomos ata në pushtet që të mos e bishtnojnë normën apo tekstin e ligjit i cili parashikon depolitizim përkatësisht departizimin e dy sektorëve shumë të rëndësishëm të sistemit mediatik edhe ato janë Organi rregullator – Agjencia e Mediave në Maqedoni dhe shtylla e sistemit mediatik që është servisi publik i Maqedonisë”, thotë Tahiri.
Ndërkaq, Biljana Petkoska nga Instituti i Mediave në Maqedoni për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se testi i parë për do të jetë zgjedhja e anëtarëve të ri të Agjencisë së mediave dhe Këshillit Programor të shërbimit publik nga ku siç thotë, pritet të zgjidhet nyja e lëmshit që e ka mbajtur peng lirinë e shprehjes për shumë vite.
“Gjithçka do të bëhet e qartë pasi të kemi rezultat rreth anëtareve të ri të Agjencisë së mediave dhe Këshillit Programor të shërbimit publik do të kemi profesionistë apo të preferuar të partive, anëtarë këta që është paralajmëruar se duhet të zgjidhen në pranverë pas organizimit të zgjedhjeve presidenciale”, thotë Petkoska.