Ligj për zyrtarizimin apo avancimin e gjuhës shqipe në Maqedoni?

Ilustrim

Debati rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është rikthyer në Kuvendin e Maqedonisë, pas një ndërprerjeje prej një muaji për shkak të zgjedhjeve lokale. Partitë politike vazhdojnë të mbeten te qëndrimet e tyre, nëse propozim-ligji zyrtarizon, apo vetëm avancon përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e sistemit.

Në procedurë parlamentare është leximi i parë apo nevoja për miratimin e ligjit, ndërsa faza e dytë parasheh ndërhyrjen e mundshme me amendamente nga partitë politike.

Nëse e lexojmë mirë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe do të shohim se nuk bëhet fjalë për avancim, por për zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe në organet e nivelit shtetëror të Maqedonisë. Përdorimi i gjuhës do të avancohet edhe në Kuvend, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, përfshirë Qeverinë, gjykatat, prokurorinë dhe institucione tjera”, ka deklaruar deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi.

Por, nga partia opozitare Lëvizja Besa thonë se propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike e avancon përdorimin e shqipes në krahasim me zgjidhjen që është në fuqi. Por sipas saj, me këto ndryshime gjuha shqipe nuk merr statusin e gjuhës zyrtare.

Me këtë propozim-ligj kemi një avancim të përdorimit të gjuhës shqipe në krahasim me ligjin e fundit. Pra, bëhet fjalë vetëm për avancim, por jo edhe për zyrtarizim të gjuhës, që është kërkesë e Lëvizjes Besa, dhe shprehur deklarativisht edhe nga partitë tjera politike shqiptare, përfshirë edhe BDI-në e cila ka detyrime pasi është nënshkruese e deklaratës së partive politike shqiptare”, ka thënë Fadil Zendeli, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Besa.

Veç kësaj, ajo gjatë gjithë kohës ka trumbetuar gjatë 15 viteve se do të zyrtarizojë gjuhën shqipe, por edhe pas këtyre viteve pajtohet me zgjidhje që janë gjysmake”, ka deklaruar Zendeli.

Megjithatë, nga BDI-ja thonë se për momentin nuk mund të ketë përkufizim kushtetues të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni për shkak të mungesës së numrave në Kuvend, ndërsa mbeten në qëndrimin se pavarësisht kësaj, shqipja do të zyrtarizohet me zgjidhjen e tanishme ligjore.

Për ta bërë atë, nevojiten ndryshime kushtetuese për të cilat nevojiten 81 vota të deputetëve në Kuvend, por gjithashtu është edhe procedure e gjatë. Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare shkruan se në këtë dhe mandatet e ardhshme do të trajtohet Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe apo barazia gjuhësore. Ky ligj, kjo zgjidhje ligjore mundëson barazi gjuhësore në të gjitha organet e shtetit”, thotë Grubi.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare thonë se ka nevojë të sqarohet dhe zgjidhet çështja e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, por jo në formën e propozuar, e cila sipas këtij subjekti politik, e bënë Maqedoninë shteti dygjuhësor dhe se zgjidhja e ofruar është në kundërshtim me Kushtetutën. Nga partia e Nikolla Gruevskit kanë thënë se mbështesin çdo zgjidhje të mundshme për përdorimin e gjuhës shqipe që do të ishte në përputhje të plotë më Kushtetutën aktuale.

Ndërkaq, nga Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev thonë se asnjë pjesë e propozimit nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa theksojnë nevojën për miratimin e një zgjidhjeje adekuate me të cilën do të mbyllet ky problem shumëvjeçar.

Asnjë pjesë e ligjit nuk e hap çështjen e ndryshimit të Kushtetutës. Ne jemi seriozisht të përgatitur për të përmirësuar tekstin e ligjit, për të evituar të gjitha paqartësinë që kanë ekzistuar mbi përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike”, ka deklaruar Tomisllav Tuntev, kryetar i grupit parlamentar të LSDM-së.

Kemi konsultuar ekspertë të shumtë dhe shpresojmë se në fazën e dyte do të kemi edhe më shumë kujdes për përmirësimin e mëtejmë të përmbajtjes ligjore”, ka thënë Tuntev.

Në ligjin e propozuar nga Qeveria, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është kualifikuar me formulimin “gjuhën, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”, duke e futur në kllapa fjalën gjuha shqipe.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare.

Sa i përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Ekspertët thonë se partitë duhet të kenë kujdes që zgjidhja që mund të miratohet, të mos mund që e njëjta të bie në Gjykatën Kushtetuese.