Maqedoni: Priten ndryshime në Ligjin për duhanin

Ilustrim

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) është duke i përgatitur ndryshimet e Ligjit për mbrojtje nga duhani, për çka është zotuar edhe gjatë fushatës zgjedhore.

Deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e re ligjore nuk do të dallojë shumë nga ajo aktuale. Ai hedh poshtë spekulimet se do të mundësohet shtrirje më e gjerë e konsumimit të duhani në vende publike.

Përkundrazi, thotë Tuntev, ligji do të precizohet të atë mënyrë që të pengohen kontrollet selektive nga ana e Inspektoratit.

“Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë planifikon të ofrojë zgjidhje serioze për vendet ku ndalohet dhe lejohet pirja e duhanit. Ne disponojmë me një varg argumentesh se liberalizimi i ligjit në fjalë sipas shembullit të 20 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në asnjë mënyrë nuk do të kërcënojë shëndetin e qytetarëve të Maqedonisë”, thekson deputeti Tuntev.

Ai sqaron se ndryshime më të mëdha do të ketë për të ashtuquajturat tarraca, përkatësisht pjesë të kafiterive dhe restoranteve ku lejohet pirja e duhanit vetëm kur objekti nuk ka çati ose është i hapur prej së paku tre anëve.

Këtë vendim e kanë përshëndetur organizata e hotelierëve në Maqedoni, sipas të cilëve këto ndryshime ligjore do të mund t`i shpëtojnë bizneset e vogla dhe ato të mesme nga gjobat selektive nga ana e inspektorëve.

Por, nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoni, thonë se moszbatimi me përpikëri i Ligjit për mbrojtje nga duhani, ka bërë që të rritet numri i duhanpirësve në mbarë vendin.

Në bazë të hulumtimit të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoni, numri i duhanpirësve brenda 15 viteve është rritur, përkatësisht 4 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës.

“Nëse merret parasysh hulumtimi i realizuar gjatë vitit 2002, atëkohë 42 për qind e popullatës ishin duhanpirës, ndërkaq tani duhanin e konsumojnë më se 46 për qind e popullatës në Maqedoni”, bëri të ditur Sillvana Onceva nga ISHPM-ja në një konferencë për media, duke theksuar se meshkujt konsumojnë duhan më shumë se femrat.

Megjithatë, nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoni, thonë se aplikimi masave gjatë viteve të fundit për ndalimin e duhanit kanë sjellë efekte pozitive për të ulur numrin e duhanpirësve në gjenerata më të reja, përkatësisht nga mosha 13 deri në moshën 15-vjeçare.

Në bazë të ligjit, shitësit nuk guxojnë t’u shesin duhan personave të mitur.

Ilir Luma, mjek nga Tetova për Radion Evropa e Lirë thotë se përpos aplikimit më rigoroz të Ligjit për mbrojte nga duhani, nevojiten fushata më intensive për të vetëdijesuar qytetarët për dëmet që sjell konsumimi pasiv I duhanit.

“Çdo njeri, i cili shoqërohet nga duhanpirësi, ndërkohë që ai vetë nuk konsumon duhan, do të thotë se ai faktikisht përballet me 40 për qind të dëmeve që shkakton konsumimi i duhanit. Për këtë gjë duhet më shumë fushatë për të vetëdijesuar popullatën, e cila konsumon duhan në prani të fëmijëve, grave shtatzëna ose pleqve, si më të atakuaritnga pirja e duhanit ”, thotë Luma.

Ndryshe, Maqedonia ka miratuar Ligjin e parë për mbrojtje nga duhani në vitin 1995. Që atëherë ky ligj është ndryshuar përkatësisht plotësuar 8 herë.

Reagime më të ashpra në opinion u shfaqën gjatë ndryshimit dhe plotësimit të ligjit që ndalon pirjen e duhanit në vitin 2010, ngase u ndalua të pihet duhan në të gjitha objektet e hotelerive, si dhe te tarracat e mbuluara dhe tarracat verore të objekteve të hotelerive.