Çfarë ndryshimesh përfshin Projektligji i punës dhe ai për lehonat?

Fotografi nga arkivi.

Që nga viti i kaluar, në Kuvendin e Kosovës, është duke u punuar në ndryshim-plotësimin e fushës së marrëdhënies së punës, përmes Projektligjit të punës, i cili pos në Komisionin për Punë dhe Mirëqenie Sociale, është shqyrtuar në lexim të parë edhe në seancë plenare.

Ndryshimet në këtë fushë, kanë qenë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian (BE), i cili ka dhënë një sërë direktivash për hartimin e Projektligjit të punës.

Ndryshe nga Ligji aktual i punës, ky Projektligj parasheh trajtim të lehonave dhe prindërve me ligj të veçantë.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se kjo ndarje, është bërë me qëllim të avancimit të të drejtave të lehonave dhe prindërve. Mimoza Kqiku, këshilltare e ministrit të Punës, Skënder Reçica, tha për Radion Evropa e Lirë, se “Ministria e Punës synon që përmes Projektligjit të punës, dhe atij për lehonat dhe pushimin prindëror, të kompletojë reformën në fushën e marrëdhënies së punës”.

Kqiku tha se versioni i aktual i Projektligjit për lehonat, i cili është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës, parasheh trajtimin e të dy prindërve, si dhe të lehonave të papunësuara.

“Në Projektligjin për lehonat, ne kemi menduar, për herë të parë, që të trajtojmë edhe lehonat e papunësuara, duke i kompensuar me një shumë të caktuar të pagës minimale. Gjithashtu, për herë të parë kemi futur edhe konceptin e pushimit prindëror, që do të jetë një e drejtë e garantuar e nënës dhe e babait, që merret pas pushimit të lehonisë së gruas, dhe pastaj fillon pushimi prindëror, që është e drejtë e garantuar për nënën dhe babanë, me kohëzgjatje të caktuar derisa fëmija t’i mbushë dy vjet”, theksoi Kqiku.

SHIKONI EDHE: Edhe burrat në pushime të “lehonisë”

Derisa Projektligji i punës është shqyrtuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, ai për lehonat është prapa në procedura, pasi ende është në pritje të miratimit nga Qeveria, e cila, në rast miratimi, ia dërgon atë Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, tha për Radion Evropa e Lirë, se përkundër disa mangësive, Projektligji i punës, përbën avancim nga ligji aktual.

Megjithatë, ajo është kritike për “vonesat” lidhur me Projektligjin për lehonat dhe pushimin prindëror. Sipas saj, meqë njëri nga nenet e Projektligjit të punës, parasheh që pushimi i lehonisë dhe të drejtat e prindërve të rregullohen me ligj të veçantë, të dy projektligjet duhet të miratohen njëkohësisht, për t’i ikur vakumit ligjor.

“Është një problem, që është diskutuar edhe në komision edhe në seancë. Projektligji i punës, faktikisht, neni i cili thotë se pushimi i lehonisë, pushimi i atësisë, pushimi prindëror, rregullohet me ligj të veçantë, e në anën tjetër, Qeveria, gjegjësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kuvend ka sjellë vetëm Projektligjin e punës, ndërsa Projektligjin për pushim të lehonisë, pushim të atësisë dhe prindëror, nuk e kemi. Prandaj, këtu mbetet një vakum, nëse ky projektligj hyn në fuqi e bëhet ligj, pas votimit në lexim të dytë, atëherë si do të rregullohet pushimi i lehonisë, kur ajo mbetet në vakum?”

“Ne jemi të interesuar, e kam dëgjuar edhe nga anëtarët tjerë të komisionit, nga partitë e tjera, që ne të procedojmë të dy projektligjet së bashku. Ne do të kërkojmë nga Qeveria, ministri i Punës dhe Mirëqenies sociale, që të sjellë edhe Projektligjin e pushimit të lehonisë, pushimit atësisë dhe prindëror” tha Baftiu, deputete e Partisë Socialdemokrate (PSD) .

Ndërsa, këshilltarja Kqiku tha se ministri, Reçica, ka kërkuar nga Qeveria që të miratojë sa më shpejtë edhe Projektligjin për lehonat, në mënyrë që ai të miratohet (në Kuvend) së bashku me Projektligjin e punës. Por, sipas saj, vonesat nga Qeveria janë për shkak të kostos financiare, për shkak të trajtimit të lehonave të papunësuara.

“Çështja e moskalimit (në Qeveri) të Projektligjit për lehonat ka qenë edhe për shkak të asaj që përmenda, trajtimit të lehonave të papunësuara që është thënë se ka një kosto, normalisht që ka një kosto, por ne duhet të presim edhe vlerësimin e të institucioneve tjera, është Ministria e Financave që e ka pjesën e saj të vlerësimit. Por ministri (Skender) Reçica, në njërën nga mbledhjet e Qeverisë ka bërë thirrje që të kalojë sa më shpejtë edhe Projektligji për lehonat, në mënyrë që t’i sillet sa më shpejtë Kuvendit (të Kosovës) për miratim, dhe të kalojë paralelisht me Projektligjin e punës, dhe, kështu të plotësohet fusha e marrëdhënies së punës,” tha Kqiku, këshilltare për informim e ministrit Skënder Reçica.

Tjetër ndryshim, në atë që, këshilltarja Kqiku, e cilëson si “ligj të avancuar që i përshtatet rrethanave socio-ekonomike të Kosovës”, është çështja e kontratave me afat të caktuar.

Ligji aktual, parasheh që kontrata me periudhë të caktuar, e cila ripërtërihet për një periudhë të punësimit më të gjatë se 10 vjet, konsiderohet kontratë për një periudhë të pacaktuar kohore. Ndërsa, projektligji e zbret limit kohor për kontratë me periudhë të caktuar në tre (3) vjet.

“Me Ligjin aktual të punës, kontratat me afat të caktuar mund të lidhen më së shumti për dhjetë (10) vjet, në Projektligjin e ri të punës e kemi ndryshuar këtë, do të thotë, kontratat me afat të caktuar mund të lidhen për më së shumti deri në tre (3) vjet. Kontratat me afat të caktuar mund të zgjaten ose rinovohen më së shumti dy herë brenda periudhës trevjeçare, këtu bëjnë përjashtim punë projekte, apo punë sezonale,” shpegoi Kqiku.

SHIKONI EDHE: Kosova, pa marrëveshje punësimi sezonal me vendet e BE-së

Megjithëse e vlerëson pozitive këtë lëvizje, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, beson se kontrata duhet të konsiderohet me afat të pacaktuar, menjëherë pas periudhës provuese, prej gjashtë muajsh.

“Kontrata e punës është një avancim. Mirëpo, prapë kemi vërejtje, sepse kontrata e punës me afat të caktuar mund të lidhet më së shumti për tre (3) vjet, ndërsa ne, subjekti im (PSD), mendojmë se pas periudhës gjashtëmujore, që është punë provuese, kontrata duhet të jetë me afat të pacaktuar. Ndonëse këtu kemi një avancim, pasi që dihet se kontratat e punës, deri tash, nuk kanë qenë me afat të pacaktuar, por punëdhënësit kanë ndërprerë kontratën e punës për punëtorët sa herë që kanë dashur ata vetë, që do të thotë se nuk janë penalizuar, ndërsa tani edhe gjobat janë më të larta, në këtë Projektligj sesa në Ligjin aktual të punës,” shtoi ajo.

Ndërkohë, “përfshirjen në projektligj të 17 direktivave të Bashkimit Evropian”, krahas tjerash, lidhur me kontratat, punën jashtë orarit, punën e personave nën 18 vjeç dhe formimin e këshillave të punëtorëve, deputetja Baftiu e vlerëson avancim në këtë fushë.

Projektligji i punës, parasheh krijimin e këshillave të punëtorëve në organizatat që kanë më shumë se 20 punëtorë, duke u dhënë punëtorëve të drejtën në vendimmarrje lidhur me të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale.