Qeveria e Republikës Sërpska miraton ligjin për "agjentët e huaj"

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik.

Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar një projektligj, përmes së cilit u kërkon organizatave jofitimprurëse të financuara nga jashtë që veprojnë në njësinë serbe të Bosnjës, të regjistrohen dhe të raportojnë për punën e tyre.

Projektligji, i cili u mbështet nga udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, u miratua më 23 mars nga qeveria.

Dodik thotë se legjislacioni do t'u kërkojë organizatave të financuara nga jashtë që veprojnë në Republikën Sërpska - entiteti i Bosnjë e Hercegovinës që Dodik drejton - të raportojnë "gjithçka që po bëjnë".

Komunikata e lëshuar pasi qeveria miratoi masën, thoshte se ligji ekzistues për shoqatat dhe fondacionet e financuara nga jashtë rregullon themelimin, regjistrimin, organizimin e brendshëm dhe ndërprerjen e punës së tyre, por jo transparencën e tyre.

Në komunikatë thuhet se aktiviteti i tyre politik, publikimi i raporteve financiare dhe “mbikëqyrja e ligjshmërisë së punës së tyre dhe dispozita të tjera” janë ndër gjërat që nuk janë rregulluar.

SHIKONI EDHE: BE i kërkon Rusisë të shfuqizojë Ligjin për agjentët e huaj

Qeveria pretendon se ky boshllëk në rregullore krijon një situatë që mund të çojë në "kolapsin e sistemit ligjor dhe kornizës kushtetuese të [Republikës Sërpska], dhu mund të shkaktojë pasoja të dëmshme për institucionet dhe organizatat e [Republikës Sërpska]".

Projektligji tani kalon në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska për debat. Kjo do të pasohet nga një periudhë dymujore për diskutim publik. Një version i përshtatur i ligjit do të kthehet më pas në Asamblenë Kombëtare për më shumë diskutim dhe votim.

Nëse kalon, ligji do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të presidentit.

Dodik, kreu i partisë më të madhe politike në Republikën Sërpska, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), ka thënë më parë se projektligji bazohet në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së (FARA).

Një ligj i ngjashëm për "agjentët e huaj" në Rusi ka rezultuar i diskutueshëm dhe është përdorur për të penguar punën e organizatave mediatike, përfshirë Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Putin nënshkruan një ligj më të ashpër për 'agjentët e huaj'

Zyrtarët amerikanë kanë argumentuar se Rusia përdor ligjin e saj për "agjentët e huaj" për të heshtur mospajtimet dhe për të dekurajuar shkëmbimin e lirë të ideve dhe kanë thënë se nuk ka "asnjë ngjashmëri" midis ligjit për "agjentët e huaj" të Rusisë dhe FARA-s së SHBA-së.

Sipas regjistrit të shoqatave dhe fondacioneve, Bosnja ka rreth 25,600 organizata joqeveritare, duke përfshirë 7,500 me bazë në Republikën Sërpska. Nuk ka të dhëna se sa prej tyre financohen nga jashtë.