Shefi i Ligës Arabe në Moskë për bisedime pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Fotografi nga arkivi.

Shefi i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, më 8 tetor udhëtoi drejt Moskës për bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, lidhur me situatën në Gaza pasi grupi militant palestinez, Hamas, kreu sulmet më të mëdha ndaj Izraelit në vitet e fundit.

Aboul Gheit, që ka shërbyer në postin e ministrit të Jashtëm gjatë shtatë vjetëve të fundit të sundimit të Hosni Mubarakut, do të diskutojë “për përshkallëzimin që po vazhdon në Rripin e Gazës”, tha një zëdhënës i Ligës Arabe.

Pas sulmit që Hamasi nisi të shtunën, Rusia shprehu shqetësim të madh duke u bërë thirrje palestinezëve dhe Izraelit që të ndalin dhunën dhe fajësoi Perëndimin për situatën në Lindjen e Mesme.

Moska tha se duhen negociata të mirëfillta që do të mundësonin krijimin e një shteti të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, kryeqytet i të cilit do të ishte Jerusalemi Lindor.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor gjatë luftës gjashtëditore më 1967.

“Ne shprehim keqardhje për përshkallëzimin aktual të shkallës së gjerë dhe e shohim si një tjetër manifestim shumë të rrezikshëm të rrethit vicioz të dhunës, që rezulton nga dështimi kronik për të respektuar rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Sigurimit. Shprehim keqardhje për bllokimin që Perëndimi i bën punës në Lindjen e Mesme”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

SHIKONI EDHE:

Reagimet e botës ndaj sulmit të HamasitMbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit

Më herët gjatë ditës, Autoriteti Palestinez kërkoi që ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe të takohen pas shpërthimit të dhunës në Gaza.

Forcat izraelite kanë njoftuar se po vazhdojnë përleshjet me militantët e Hamasit në jug të Izraelit. Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar për një “luftë të gjatë” me Hamasin.

Si pasojë e dhunës, mbi 500 persona janë vrarë në Izrael dhe Gaza dhe janë plagosur mijëra të tjerë.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera kanë shprehur mbështetje për Izraelin pas sulmit të Hamasit.