Lideri i Hezbollahut: Irani, i obliguar të përgjigjet pas vrasjes së Haniyehut

Sayyed Hassan Nasrallah, lideri i grupit Hezbollah.

Sayyed Hassan Nasrallah, lideri i grupit Hezbollah, me bazë në Liban, që gëzon mbështetjen e Iranit, ka thënë se veprimet e fundit të Izraelit, nuk do të mbeten pa një përgjigje “të fuqishme dhe efektive”.

Ai i ka bërë këto deklarata derisa rriten shqetësimet për mundësinë e një lufte të madhe në rajon.

Hezbollahu ësht grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara.

Për muaj, Izraeli dhe Hezbollahu kanë kryer sulme kufitare – përfshirë një sulm vdekjeprurës me raketë të nisur prej Libanit, më 27 korrik, që ka goditur Lartësitë e Golanit, të pushtuara prej Izraelit, duke lënë 12 fëmijë të vrarë – që kanë lënë të vrarë shumë persona dhe kanë detyruar shpërnguljen e mijëra tjerëve.

SHIKONI EDHE: Pse konflikti Izrael-Hezbollah rrezikon të përshkallëzohet sërish?

Presioni është rritur pas sulmeve që kanë lënë të vrarë komandantin e lartë ushtarak të grupit, Fuad Shukr në Bejrut, dhe Ismail Haniyehun, liderin politik të Hamasit, grup që, gjithashtu, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Haniyeh është vrarë në Iran.

Teherani është aleati kryesor i Hezbollahut, dhe ky grup militant është anëtari kryesor në Boshtin e Rezistencës së Iranit, rrjetëzim i grupeve militante që mbështet Irani, në luftën kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

SHIKONI EDHE: Irani thotë se nuk do përshkallëzim rajonal, por Izraeli “duhet të ndëshkohet”

Hezbollahu konsiderohet aleat kryesor në përpjekjet e Iranit për t’ia pamundësuar Izraelit apo Uashingtonit hyrjen në luftë me Teheranin.

Teherani “e konsideron veten të obliguar për t’u përgjigjur, dhe armiku është duke pritur me frikë të madhe”, ka thënë Hassan Nasrallah në një adresim televiziv, më 6 gusht, për të shënuar një javë të vdekjes së Shukrit.

Ai ka thënë se Hezbollahu do të përgjigjet “vetëm, apo në kontekst të një përgjigjeje të unifikuar prej gjithë Boshtit” të grupeve të përkrahura të Iranit në rajon, “pavarësisht pasojave”.

Ekspertët kanë thënë se asnjëra palë nuk është e interesuar për luftë të madhe në rajonin që veçse po përballet me luftë, prej kur Izraeli ka nisur luftën kundër Hamasit në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulm në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Si pasojë e luftës së Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Hezbollahu zakonisht nuk shmang përgjegjësinë për sulmet që kryen kundër Izraelit.

Mirëpo, grupi ka lëshuar një deklaratë të rrallë, në të cilën ka mohuar përgjegjësinë për sulmin në Lartësitë e Golanit.

Izraeli, në anën tjetër, nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjet e Shukrit dhe Haniyehut.

Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe ato të Sigurisë, i ka thënë së fundmi Radios Evropa e Lirë që nëse lufta shpërthen, anëtarët e Boshtit të Rezistencës do t’i intensifikojnë sulmet kundër Izraelit, dhe do t’i shënjestrojnë trupat amerikane dhe bazat amerikane në rajon, me qëllim të rritjes së presionit ndaj Uashingtonit për të frenuar Izraelin.

SHIKONI EDHE: Raportohet se personeli amerikan është plagosur në një sulm në Irak

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se situata në rajon është në “moment kritik” dhe që Uashingtoni është i angazhuar në diplomaci për të ndihmuar në uljen e tensioneve.