Liderët e BE-së miratojnë Deklaratën e Granadës për zgjerimin e bllokut

Liderët e Bashkimit Evropian.

Liderët e Bashkimit Evropian e përmbyllën samitin dyditor në Granadë të Spanjës të premten, ku u fol edhe për Kosovën, duke e miratuar të ashtuquajturën Deklaratën e Granadës, e cila përfshin përkushtimin e bllokut për zgjerim dhe ftesën për vendet kandidate.

Gjatë dy ditëve në Granadë, liderët biseduan për çështjet më sfiduese për bllokun, si emigrimin, zgjerimin dhe gjeopolitikën.

Duke folur pas përfundimit të samitit të premten, presidenti i Këshillit Evropian, Charlers Michel, tha se tash duhet të diskutohet në hollësi rreth sfidave të ardhshme, për t’i identifikuar prioritetet që duhet të zgjidhen për të ardhmen e përbashkët.

Muajve të fundit është vërejtur rritje e numrit të emigrantëve në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, pavarësisht përparimit të arritur në negociatat për një reformë, emigrimi mbetet temë që shkakton ndasi të thella brenda bllokut evropian.

Në qershor, liderët e BE-së nuk kishin mundur të pajtoheshin për një deklaratë të përbashkët për migrimin.

SHIKONI EDHE: Franca “nuk do t’i mirëpresë migrantët” nga Lampeduza

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë aplikuar për anëtarësim në BE, duke e rritur në 10 numrin e vendeve që synojnë bllokun evropian.

Shumë liderë të BE-së, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë në prag të takimit se “edhe BE, edhe vendet kandidate, duhet ta kryejnë pjesën e tyre të punës“.

Disa liderë kanë thënë se viti 2030, të cilin e ka përmendur presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, si afat për t'u bërë gati për zgjerim, është një shtytje e mirë politike.

Disa e shohin këtë datë si shumë të largët, të tjerë si shumë të shpejtë.

SHIKONI EDHE: Zgjerimi i BE-së: Merrni lajmet e mira, mos hamendësoni afate

Kur janë pyetur për vendime konkrete rreth zgjerimit, liderët e BE-së kanë thënë se kjo do të varet nga raportet e progresit që Komisioni Evropian do t'i publikojë në fillim të muajit nëntor.

“Duke shikuar para drejt një bashkësie më të zgjeruar si BE-ja, ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare duhet të bëhen gati. Vendet aspirante duhet ta përshpejtojnë punën e tyre në reforma, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me qasjen e zgjerimit, sipas parimit të meritave individuale dhe me asistencë të BE-së. Paralelisht, BE-ja duhet t’i vendosë themelet për t’u bërë gati për zgjerim. Ne do t’i paraqesim ambiciet tona afatgjate dhe mënyrën se si t’i arrijmë ato”, përmendet në draftin e Deklaratës që liderët e bllokut pritet ta miratojnë në Granada.

Ata pritet të diskutojnë edhe për prioritetet strategjike të bllokut për të ardhmen, përfshirë kapacitetet në mbrojtje, sigurinë energjetike, dhe përgjigjen kolektive ndaj krizës klimatike dhe pavarësinë ekonomike të 27 vendeve anëtare.

Diskutime për Kosovën

Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet brenda BE-së se gjatë samitit të premten disa liderë kanë përmendur situatën në Kosovë, raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në veri të Kosovës më 24 shtator.

Disa nga liderët kanë kërkuar që BE-ja “të reagojë patjetër për atë që ka ndodhur“.

Burimet thonë se liderët do t'i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë, hetimet për sulmine 24 shtatorit, për të qenë e gatshme t'i marrin vendimet e nevojshëm.

Liderët kanë kërkuar që të ulen tensionet dhe palët t'i kthehen procesit të normalizimit.

Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

SHIKONI EDHE: Osmani u kërkon liderëve evropianë ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për dhunën në veri

Shumë liderë kanë bërë thirrje që të ulen tensionet dhe që edhe Kosova edhe Serbia të kuptojnë se normalizimi i raporteve mes tyre është po ashtu kusht për përparim drejt integrimit në BE. Këtë e ka thënë para gazetarëve edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Një ditë para samitit të BE-së në Granada, në margjina të një samiti të Bashkësisë Politike Evropiane, janë zhvilluar disa takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, por nuk është arritur që të organizohet një takim mes tyre.