Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u ka bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, teksa i është bashkëngjitur thirrjeve të liderëve të tjerë për kujdes, pasi varianti Delta është përhapur në gjithë botën.
Varianti Delta, që fillimisht është detektuar në Indi, është bërë varianti dominues në botë i koronavirusit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë më 18 qershor.
Po ashtu, ky variant, që është më i transmetueshëm, pritet të bëhet dominant edhe në SHBA, tha drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky.
Walensky tha se amerikanët që vaksinohen “do të jenë të mbrojtur nga varianti Delta”.
Biden u bëri thirrje amerikanëve të vaksinohen, teksa njoftoi se 300 milionë doza kundër COVID-19 tashmë janë administruar gjatë 150 ditëve, që prej se ai mori detyrën e presidentit.
Rreth 172.4 milionë persona apo 51.9 për qind e popullsisë së SHBA-së, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Rreth 141.6 milionë persona apo 42.6 për qind e popullsisë, tashmë janë të vaksinuar plotësisht.
SHIKONI EDHE: Merkel e Macron bëjnë thirrje për vigjilencë ndaj varianteve të koronavirusitPor, ritmi i vaksinimit në SHBA ka rënë ditëve të fundit, duke kërcënuar përparimin e arritur në vaksinim.
Ndërkaq, Britania ka raportuar për rritje të infektimeve për shkak të variantit Delta, duke detyruar qeverinë që të shtyjë vendimin për relaksimin e masave kundër koronavirusit, pavarësisht se në këtë vend janë vaksinuar një numër i madh i qytetarëve. Britania po ashtu ka kufizime për udhëtimet nga Portugalia për shkak të rritjes së rasteve me variantin Delta.
Në Bashkimin Evropian, shtetet kanë administruar të paktën një dozë të vaksinës për pothuajse gjysmën e popullsisë së bllokut.
Liderët e Gjermanisë dhe Francës u bën thirrje shteteve të BE-së që të jenë më viligjente ndaj variantit Delta, që kërcënon përparimin që këto shtete kanë shënuar ndaj pandemisë, që u ka lejuar atyre që të heqin gradualisht kufizimet.