Librat e historisë, të propozuar për nxënësit e shkollave të mesme në Bullgari, kanë nxitur kundërthënie, pasi sundimtarin e fundit totalitar të kohës komuniste, Todor Zhivkov, e paraqesin si hero, ndërsa natyrën shtypëse të regjimit të tij e zbukurojnë.
Zhivkov ka udhëhequr një nga regjimet më të ashpra komuniste në Evropën Lindore për 35 vjet, derisa është përmbysur në revolucionin e 10 nëntorit, 1989.
Ka qenë ky një grushtshtet brenda vetë Partisë Komuniste të Bullgarisë, i cili ka ndodhur vetëm një ditë pas rënies së Murit të Berlinit.
Por, realiteti i jetës gjatë epokës totalitare të Bullgarisë është paraqitur rrallë në tekstet e historisë për nxënësit e shkollave të mesme atje, gjatë 30 vjetëve të fundit.
Propozimet për tekste të reja janë paraqitur nga pesë shtëpi botuese, në përgjigje të ndryshimeve të kurrikulave, të miratuara në vitin 2018 nga Ministria e Arsimit.
Ky program mësimor kërkon që bullgarët e rinj të mësojnë më shumë për atë që ka ndodhur në vendin e tyre nën sundimin komunist, nga viti 1944 deri më 1989.
Shkencëtarët politikë, mësimdhënësit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut në Bullgari, që i kanë kontrolluar tekstet e propozuara, janë të zemëruar me disa deklarata që ato i përmbajnë.
Ata janë po ashtu të inatosur me, siç thonë, lëshimet që janë bërë në përshkrimin e frikës, shtypjes dhe dëshpërimit, që kanë përcaktuar ekzistencën e përditshme të shumë bullgarëve nën sundimin e Zhivkovit.
Sipas tyre, ka rrezik që breza të bullgarëve të rriten pa e kuptuar qartë thelbin e komunizmit dhe me ide të shtrembëruara të asaj që ka përbërë "jetën normale" gjatë 45 vjetëve të totalitarizmit.
Në një tekst shkollor, që po sfidohet, thuhet se "Todor Zhivkov ka pasur një stil të moderuar të qeverisjes, pa shtypje të rëndë".
Një pjesë tjetër thotë se "politikat e Zhivkovit kanë pasur për qëllim përmirësimin e mirëqenies së popullatës".
Ndërsa, në një tjetër pjesë pretendohet se “pakënaqësia e publikut me mungesën e të drejtave civile në Bullgarinë e udhëhequr nga Zhivkov, është qetësuar me rritjen e standardeve të jetesës”.
Në fakt, Zhivkov, deri në fund të viteve 1980, i ka parandaluar trazirat brenda inteligjencës bullgare dhe ka ndëshkuar ashpër mospajtimin - duke përdorur policinë e tij të fshehtë si një mjet vicioz të kontrollit. Atëbotë, mijëra njerëz janë burgosur për arsye politike.
Një program asimilimi që Zhivkov ka ndërmarrë në vitin 1984 për popullsinë etnike turke të Bullgarisë, ka qenë mjaft shtypës, duke i detyruar turqit etnikë të pranonin emra sllavë.
Përndjekja e atyre që rezistonin, e pasuar me vendimin e vitit 1989 për të hapur kufirin me Turqinë dhe për të lejuar turqit etnikë të largoheshin nga vendi, ka çuar në atë kohë në migrimin më të madh të njerëzve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Mbi 300,000 turq etnikë kanë ikur për në Turqi.
Evelina Kelbcheva, profesore e historisë në Universitetin Amerikan në Blagoevgrad të Bullgarisë, ka botuar një letër të hapur me gazetarin hulumtues, Hristo Hristov, në përpjekje për të nxjerrë në pah të metat e teksteve shkollore, përpara se të publikohen dhe të përdoren për të mësuar nxënësit bullgarë.
Kelbcheva dhe Hristov thonë se përshkrimet e epokës komuniste në tekste janë plot me "klishe propaganduese". Ata bëjnë thirrje për të ndryshuar ose anuluar plotësisht të pesë tekstet shkollore.
"Tiparet më të rëndësishme të regjimit totalitar komunist - terrori politik, sistemi shtypës, nënshtrimi total i vendit dhe diktimi i Kremlinit mbi sferën e jetës e jo vetëm mbi politikën e jashtme - padyshim se nuk janë nxjerrë në pah qëllimisht", thonë Kelbcheva dhe Hristov.
Kelbcheva i tha Radios Evropa e Lirë se në shumicën e teksteve të propozuara janë lënë pas dore informacionet rreth 30,000 bullgarëve, që janë ekzekutuar gjatë muajve të parë pas kalimit të Ushtrisë së Kuqe Sovjetike në Bullgari dhe pas formimit të qeverisë komuniste, të mbështetur nga sovjetikët, në shtator të vitit 1944.
"Ekzekutimet që kanë pasur për qëllim krijimin e klimës së frikës nuk përmenden", tha ajo. "Po ashtu nuk ka fakte për persekutimin e njerëzve nga besimet fetare - përfshirë edhe të krishterë, edhe myslimanë", tha Kelbcheva.
Një tekst i propozuar nga Domino Publishing House thotë se Zhivkov, në vitin 1962, i ka mbyllur kampet e punës me detyrim për të burgosurit politikë, duke sjellë "fundin e një praktike çnjerëzore, që ka shkatërruar fatet e mijëra njerëzve".
Por, ai nuk përmend se Zhvikov, më 1985, ka hapur një kamp famëkeq të punës në ishullin Belene, në Lumin Danub - një objekt që po ashtu është quajtur kampi i përqëndrimit Belene.
Në letrën e tyre të përbashkët, Kelbcheva dhe Hristov gjithashtu theksojnë se tekstet e propozuara shkollore nuk përmbajnë asnjë informacion në lidhje me aktivitetet e policisë sekrete të Partisë Komuniste Bullgare.
"Tekstet flasin për shtypjen e të drejtave të njeriut gjatë epokës komuniste. Por, si mund të shkelet diçka që nuk ka ekzistuar?”, tha Kelbcheva për Radion Evropa e Lirë.
Tekstet e dy botuesve, Prosveta dhe Riva, pasqyrojnë gjetjet e historianëve bashkëkohorë, tha ajo.
Të tjerët formalisht i plotësojnë kërkesat e përcaktuara në kurrikulë, por nuk japin një pamje realiste të epokës historike, shtoi Kelbcheva.
Sipas saj, kjo periudhë nuk mund të paraqitet mirë nëse gjendja e ekonomisë është lënë jashtë. "Ishte një ekonomi jofunksionale", tha Kelbcheva.
Në fakt, historianët bullgarë së voni kanë shkruar një histori gjithëpërfshirëse të vendit të tyre nën sundimin komunist.
Shtatë bashkautorë bullgarë të “Bullgarisë nën Komunizëm” - një libër i botuar këtë vit nga botuesi Routledge në Nju Jork - thonë se historianët bullgarë tani përballen me sfida në ruajtjen e një distance "jo të njëanshme" derisa përcaktojnë "kufirin midis momenteve subjektive dhe objektive në tranzicionin nga kujtesa e gjallë drejt narrativitetit historik".
Për ta bërë këtë, thonë ata, kërkimet historike duhet "të shkundin kujtesën dhe të orientohen drejt të kuptuarit dhe të interpretuarit".
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri bullgar i Arsimit, Petar Nikolov, tha se pesë librat e propozuar kanë kaluar disa nivele të vlerësimeve, por asnjëri prej tyre nuk ka marrë miratimin përfundimtar nga ministria e tij.
Nikolov tha se ministria e tij ka marrë "disa sinjale nga drejtime të ndryshme" dhe pranoi se ka dëgjuar kritika nga disa vlerësues në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë dhe në universitete me programe të akredituara të historisë.
Ai tha se zyrtarët e ministrisë kryesisht pajtohen me kritikat dhe se pret që tekstet e diskutueshme të ndryshohen dhe të marrin miratimin përfundimtar para se të fillojë viti i ardhshëm shkollor në shtator.
"Për ne, objektiviteti do të arrihet kur të gjejmë një balancë mes opinioneve më radikale", tha Nikolov për Radion Evropa e Lirë.