Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur optimist se Bashkimi Evropian do të miratojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se dinamika e paraparë në BE, por edhe ne vendet veç e veç të BE-së e mundëson që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
Kjo çështje kalon nëpër disa faza, tha Haradinaj, në një konferencë për gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
“Në qershor, institucionet e Bashkimit Evropian do të bëjnë vlerësimin, që unë besoj se është pozitiv. Mirëpo ky vlerësim do të kalojë prap nëpër institucionet e BE-së, kurse ne do ta vazhdojmë dinamikën, punën me këto institucione si dhe nevojitet aprovimi i vendeve veç e veç”, tha Haradinaj.
“Pra, si dinamikë kohore”, theksoi Haradinaj, kjo çështje mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
Kjo dinamikë, sipas tij, jep shpresa që qytetarët e Kosovës nga fundi i këtij viti apo fillimi i vitit tjetër të lëvizin lirshëm, pa viza drejt vendeve të BE-së.
“Është me rëndësi që këtë porosi ta çojmë të gjithë prej Kosovës me kujdesin më të madh. Jeta e brendshme politike, gara e brendshme politike asnjëherë nuk do të ndalet, por nuk duhet të bëjmë gabime dhe duhet të përçojmë porosinë se qytetarët e vendit e meritojnë lëvizjen e lirë".
“Ne prej Kosovës nuk do t’u dërgojmë vendeve të BE-së krim e emigrantë, por do të ketë shkëmbime”, tha Haradinaj.
Ai mori si shembull sportin dhe futbollin më konkretisht, duke thënë se si do të mund të udhëtojnë tifozët nga klubet e Kosovës në Evropë të përcjellin një ndeshje, nëse ata nuk e kanë lirinë e lëvizjes.
“Mendoj që ne nuk po dërgojmë krim e nëntokë në Evropë, por thjeshtë bëhet fjalë për lëvizje të lirë e shkëmbim reciprok”, tha Haradinaj.
Ndryshe nga vendet tjera, Kosovës i janë vënë më shumë kritere për zbatim në procesin e gjatë të liberalizimit të vizave. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, tani kushti i fundit mbetet ofrimi i dëshmive për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Në rast se Bashkimi Evropian do të vlerësojë se edhe ky kusht është përmbushur nga ana e Kosovës, atëherë do të pasojë edhe faza e vendimmarrjes në BE dhe vendet anëtare, rreth heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Schengenit.