Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit në Bruksel të martën kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, kanë konfirmuar burimet diplomatike të Bashkimit Evropian.
Me këtë është bërë edhe një hap formal drejt finalizimit të këtij vendimi për të cilin ishin pajtuar vendet anëtare më 30 nëntor.
Sipas procedurave, në emër të Këshillit të BE-së, Presidenca çeke hyri në negociata me Parlamentin Evropian dhe pas vetëm një takimi u arrit marrëveshja ndërmjet këtyre dy institucioneve të Bashkimit Evropian.
Në emër të PE-së, negociatat i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten, nga Holanda. Edhe pse Parlamenti do të kishte preferuar që vendimi të jetë i pakusht dhe hyrja në fuqi më e shpejtë, ky institucion i BE-së ra dakord për tekstin e vendimit për të mos krijuar rrethana, të cilat do ta vononin procesin edhe më shumë.
Tash, kjo marrëveshje duhet të votohet në Komisionin për Drejtësi dhe Liri Qytetare (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancë plenare. Pritet që kjo procedurë të jetë në pjesën e parë të vitit që vjen.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Deri më tash nga Parlamenti Evropian ka pasur mbështetje të fuqishme për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Parlamenti kishte bërë edhe presion ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që sa më parë të miratojnë vendimin për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë në BE pa viza.
Sipas tekstit të vendimit, për të cilin janë marrë vesh Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, dhe të cilin e kanë aprovuar të martën përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi në kohën kur do të jetë tërësisht funksional sistemi i verifikimit dhe autorizimit të udhëzimeve (ETIAS), dhe jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
EXPOSÉ: Rruga e gjatë drejt BE-së
Liberalizimi i vizave do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Kjo, pavarësisht faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.