Ecja vit pas viti pa liberalizim

Aktivistët e shoqërisë civile gjatë një proteste kundër regjimit të vizave për kosovarët. Ata mbajnë në duar pankarta me mbishkrime “Kosova është Evropë”. Prishtinë, 23 tetor, 2019.

Mungesa e rezultateve evidente në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe mungesa e përparimeve në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga njohës të çështjeve të integrimeve evropiane po vlerësohen si dy arsyet kryesore të cilat kanë ndikuar që Bashkimi Evropian (BE) të mos e shqyrtojë seriozisht as gjatë vitit 2019, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas tyre, në veçanti, BE-ja pret që në Kosovë të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë në mënyrë që të dërgohen dëshmi serioze për ndërtimin e një shteti ligjor.

Për afërsisht dhjetë vjet rresht, liderët politikë kanë premtuar liberalizmin e vizave, e madje edhe janë ngritur dolli e festa se procesi ishte përmbyllur me sukses.

Video nga arkivi: Më 2016, atëbotë ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku kishte festuar "liberalizimin e vizave" për qytetarët e Kosovës

Gjatë vitit 2019, ishte kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ai i cili gjatë verës së vitit 2019, ua adresoi një urim qytetarëve të Kosovës duke thënë se në fund të vitit do të marrin vendimin pozitiv të vendeve anëtare të BE-së.

Por, ngjashëm me vitet tjera, edhe viti 2019 u përmbyll pa liberalizim të vizave, që nënkupton se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa lirinë e lëvizjes pa viza drejt vendeve anëtare të BE-së.

SHIKONI EDHE: Premtimet mbajnë “gjallë” jetësimin e liberalizimit të vizave


Kur erdhi fundi i vitit, Haradinaj tha se shtyrjes së datës për liberalizim i kanë kontribuar dy partitë që po synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Mund të jetë edhe vonesa në moskrijimin e institucioneve që disi po zbehin fuqinë tonë”, ka thënë Haradinaj për mediat në Prishtinë.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Radion Evropa e Lirë se për të siguruar liberalizimin e vizave, nevojitet përparim më i madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Arsyet mund t’i gjykojmë mbi deklarata publike të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ata kanë nënvizuar dy gjëra, se për të siguruar liberalizimin vizave duhet progres sa i përket kriterit të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe në përgjithësi sistemit të sundimit të ligjit”.

“Arsyeja e dytë që ka ngecur liberalizimi i vizave është ngecja në kuadër dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nuk është kriter direkt i liberalizimit të vizave, por është parakusht në kuadër të gjithë procesit të integrimit, i cili patjetër ndikon në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Shasha.

*Video nga arkivi: Shumë festime, por vizat nuk u hoqën

Your browser doesn’t support HTML5

Shumë festime, por vizat nuk u hoqën

Bazuar në rëndësinë që BE-ja i kushton dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shasha nuk e përjashton si mundësi që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të ndërlidhet apo kushtëzohet me vazhdimin e këtij dialogu dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë që nga viti i kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ndonëse nuk e përjashton si mundësi, Shasha thotë se liberalizimi i vizave nuk do të duhej të ndërlidhej me dialogun në asnjë formë.

Disa të rinj në Prishtinë, duke pritur pranë qendrave për shërbime për aplikim për vizë.


“Ne si shoqëri duhet të lëvizim drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si një qëllim më vete, që do të siguronte një normalitet për qytetarët, qoftë të Kosovës apo Serbisë. Por, në asnjë formë nuk duhet të ndërlidhet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me çështjen e liberalizimit të vizave. Por, nga ajo që po shohim, nga deklaratat që vijnë nga Bashkimi Evropian del se këto procese janë të ndërlidhura”, tha Shasha.

Ministrja në largim për Integrim Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ndërlidhja e mundshme e procesit të liberalizmit të vizave me dialogun me Serbinë, do të ishte zhgënjyese. Ajo pati deklaruar se ka tendenca të tilla.

SHIKONI EDHE: Hoxha: Zhgënjyese nëse ndërlidhet liberalizimi me vazhdimin e dialogut

Raportuesi për Kosovën në Bashkimin Evropian, Peter Beyer, gjatë një konferencë të mbajtur në Prishtinë, pati thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë më 2020.

Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme [LIBE], në shtator të vitit 2019, e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një shumicë prej 49 ligjvënësish ranë dakord të fillojnë bisedimet me Këshillin e Bashkimit Evropian për propozimin e heqjes së vizave për Kosovën.

SHIKONI EDHE: Emigrimi, sinjal jo i mirë për liberalizim të vizave

Votime të ngjashme ishin mbajtur edhe në shtator të vitit 2018 dhe mars të vitit 2019, por mandati për bisedime me Këshillin e BE-së është dashur të ripërtërihet pas zgjedhjeve të përgjithshme të BE-së në muajin maj.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mbetet ende i diskutueshëm në Këshillin e BE-së.

Franca dhe Holanda vazhdojnë të hezitojnë që t'i japin Këshillit një mandat për të negociuar me parlamentin.

Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorolli, në rrjetin social Facebook, ka shkruar se “pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa vende të tjera si, Franca dhe Holanda, dyshojnë se liberalizimi i vizave me Kosovën do të funksiononte, pasi kanë frikë se kosovarët do të largohen nga vendi dhe nuk do të kthehen, do të qëndrojnë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës”, ka shkruar Qorolli.

Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arrti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës.