Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje Serisë gjatë një vizite në Beograd të martën që t’i zbatojë marrëveshjet e arritur deri tani mes saj dhe Kosovës.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit me presidentin Vuçiq, Leyen tha se “sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm, autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi. Është vendimtare që të dyja palët të angazhohen dhe të ndjekin rrugën e normalizimit.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic. Gjatë konfliktit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Leyen theksoi se është e rëndësishme që Serbia të mbështesë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe që Kosova ta zbatojë atë.
SHIKONI EDHE: Shefja e BE-së viziton Ballkanin Perëndimor“Përveç kësaj, Serbia duhet të fillojë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbasë kohë për këtë”, tha Leyen.
E pyetur se si mund të kërkohet nga Serbia që ta njohë de fakto Kosovën, nëse pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Leyen tha se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila u arrit në mars në Ohër mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e BE-së.
Gjatë vizitës në Prishtinë të hënën, Leyen nënvizoi se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia de fakto ta njohë Kosovën.
SHIKONI EDHE: Von der Leyen: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de factoAjo shpjegoi në Beograd se Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë, për shembull, njohjen e dokumenteve të Kosovës nga Serbia.
Leyen tha se kjo, në anën tjetër, shkon edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën Kosova duhet ta zbatojë.
"Kjo do t'i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane", tha ajo.
Vuçiq: Për ne nuk është në pyetje njohja e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës.
“Dhe këtë e kam thënë pafundësisht dhe nuk është e vështirë për mua dhe nuk më vjen turp, jam krenar që e them para presidentes së KE-së”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se “ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t'i përmbushim ato”.
Ai theksoi se Serbia e ka të qartë se çfarë nuk mund të bëjë kundër Kushtetutës.
“Ai qëndrim i Serbisë nuk ndryshon”, tha Vuçiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiq tha se statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bazë e mirë për bisedime, por se ai nuk mund të flasë për hollësitë e draftit që ka marrë.
Ai tha se për momentin dy pengesa kryesore në rrugën e Serbisë drejt BE-së janë sanksionet ndaj Rusisë dhe marrëdhënia me Prishtinën.
Serbia nuk iu bashkua politikës së jashtme të BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës.
Pas takimit me presidenten e KE-së, Vuçiqi shkroi në rrjetin social Instagram se atë po e pret një ditë e tërë bisedimesh.
“Në të cilën do t’ia shpreh të gjitha llojet e mirënjohjes BE-së për ndihmën dhe mbështetjen që na ka dhënë, me shpresën se Serbia do të ketë forcën për t’i përmbushur detyrimet e saj të anëtarësimit dhe të bëhet pjesë e familjes së kombeve evropiane”, tha Vuçiq.
Përveç Vuçiqit, Leyen është paraparë të takohet edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Në kuadër të turneut të saj në Ballkan, Leyen e vizitoi edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ndërsa pas Beogradit do të shkojë në Sarajevë.